Autorët mendonin se viktima po transportonte ar në automjetin e tij, ky mendohet të jetë motivi i vrasjes në Shkup

Në parkingun përpara qendrës tregtare “Mavrovka”, paraditen e sotme është vrarë një banor i Shkupit. Jozyrtarisht, thuhet se ai drejtonte disa biznese, ndërsa policia ende nuk e ka bërë të ditur identitetin e tij.

Të tre të dyshuarit, të cilët janë të gjithë nga Shkupi, dyshohet se mendonin se viktima po transportonte ar në automjetin e tij. Sulmi u krye me qëllim që ta grabisnin. Megjithatë, pasi vranë personin dhe morën çantën nga automjeti, ata zbuluan se ajo ishte e mbushur me vegla për shitje, raporton “SDK.mk”.

Viktima dyshohet se kishte një kompani pranë selisë së Komunës Aerodrom, e cila merrej me shitjen e veglave të ndryshme të punës.

Policia menjëherë ndërmori masa operacionale dhe taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës urbane, kontrolluar disa shtëpi dhe automjete, me përfshirjen e forcave speciale të policisë, helikopterëve dhe dronëve. Në zonën e Komunës Çair, u vërejt një automjet që u përpoq të ikte, dhe personat në të rezistuan me armë zjarri. Policia u kundërpërgjigj, pas së cilës një person u arrestua. Gjatë masave të mëtejshme, u arrestua edhe një person tjetër. Policia gjithashtu e njeh identitetin e të tretit të dyshuar, i cili është në arrati, dhe po ndërmerren masa për ta gjetur atë.

Motivi për vrasjen duket të jetë fitimi, sipas informacionit të parë jozyrtar. MPB nuk ka zbuluar detaje se si janë arrestuar dy nga të dyshuarit, apo nëse policët i plagosën ata gjatë përplasjes me armë zjarri. Identiteti i tyre ende nuk është bërë publik.