Me dy të tretën e votave, Kuvendi i miratoi dy ligje që parashikojnë transformimin e Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve.
Paraprakisht kreu i Kuvendit Talat Xhaferi votimin e shtyu pasi nuk e kishte 2/3 e votave.
“I ftoj deputetët që të futen në sallë, për faktin që kjo pikë kërkon shumicë prej 2/3. Pika për të cilën po debatojmë kërkon minimum 80 votë”, deklaroi Talat Xhaferi.
Pas kësaj koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së filluan t’i kërkojnë deputetët të vijnë në sallë për të siguruar 80 vota.
Në kuvend arriti edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ndërsa koordinatorët e grupeve parlamentare siguruan numrat, ndërkohë kryetari i kuvendit pasi mori këtë sinjal e vendosi në votim Ministrinë e re. Deputetët me 80 vota PRO, asnjë KUNDËR votuan propozimin e Qeverisë.
Formimin e ministrisë së re zv/kryeministri Bujar Osmani e përshëndeti përmes facbookut.
“Është avancim i jashtëzakonshëm i këtij dikasteri nga një shërbim administrativo- teknik ne një ministri me të gjitha kompetencat ekzekutive për te implementuar ligjet që kanë dalë nga marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar Osmani.
Burime konfidenciale për TV21 pohojnë se me këtë Ministri do të udhëheqë Atilla Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, megjithatë nga BDI nuk e konfirmojnë emrin e tij.