Nga Artur ZHEJI.
-Nuk është humanizëm, por thjesht një shërbim servil për të siguruar mbështetje ndërkombëtare dhe para. Një akt i çmendur, cinik dhe me pasoja të frikshme për një vend të vogël si Shqipëria, që nuk mundet të shërbejë 600.000 refugjatë lufte të një kombi të huaj, me kohëzgjatje të përjetshme.
Në Shqipëri sot që flasim, banojnë realisht, jo më shumë se 2,5 milionë shqiptarë. Asnjë vend në botë nuk mund të strehojë në kushte normale, aq refugjatë, sa 25% e numrit të vet të popullsisë autoktone.
I dëshpëruar për mbështetje ndërkombëtare me çdo kusht, kryeministri dhe qeveria e tij, janë gati të bëjnë gjithshka, që të tjerët refuzojnë ta bëjnë, në emër të interesit të tyre kombëtar.
Dhe ky është pikërisht rasti.
Tani kuptohet sepse qeveria e Malit të Zi, me sa duket, e informuar me kohë, ka vendosur të ndërtojë një klon me tela me gjëmba, në kufirin shtetëror me Shqipërinë dhe ata qenka në të drejtën e tyre për këtë.
Emergjenca siriane duhet zgjidhur dhe palët që janë gjeopolitikisht të interesuar për këtë zgjidhje, mund të bëjnë trysninë e tyre për këtë, porse të marrësh përsipër një gjë të tillë, është një atentat i mirëfilltë antikombëtar.
Aq më tëpër në një vend të dëshpëruar nga varfëria dhe pasiguria që kërkon në ndërkohë, shpëtimin e vet, pikërisht në largimin nga Shqipëria. Vetëm kërkesat për emigrim në Usa, janë 500.000 individë, pa llogaritur familjarët.
Skema duket e qartë.
Zbrazja e Shqipërisë nga hallexhinjtë shqiptarë që grricin nervat me hallet e tyre dhe hapja e dyerve për një biznes të ri: sistemimi i 600.000 hallexhinjve pa atdhe, një treg i majmë dhe një fuqi puntore edhe më e nënshtruar se ajo vendase, shqiptare.
Dhe nga ana tjetër, nje retorikë e gatshme humanitare, ca medalje, ca financime ndërkombëtare, që mund të grabiten në terren me lehtësi dhe dhjetëra e mijëra skllevër pa asnjë të drejtë, në llagëmet e punës së zezë dhe e shfrytëzimit njerëzor pa kufi.
Një skenar i përbinshëm.
Dhe opozita rri e vështron dhe Partia Socialiste rri kurrizkrusur dhe aventurat në Shqipëri, ndjekin njera tjetrën, nën arrogantin kryeministër.
Ky lloj lajmi dhe kjo bëmë, nuk bën tjetër veçse nxit edhe më shqiptarët për tu larguar, ndalon rikthimin e tyre dhe krijon një demografi të re.
Përfytyroni pas pak vitesh edhe të drejtën për të votuar, që sirianët mund të fitojnë sëbashku me nënshtetësinë shqiptare.
Ata do te jën befas, pakica etnike më dërmuese në Shqipëri, me partitë dhe deputetët e tyre.