Masa do të ketë edhe për ata që do të vijnë nga Afganistani.
Edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël të shtetasve tanë që gjenden atje dhe që pritet të arrijnë në vendin tonë, sërish, siç tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka dy rekomandime për këtë kategori të qytetarëve.
“Dy rekomandime ka. E para është karantinë 14-ditore e detyrueshme. Kjo është propozuar në Qeveri, nesër do të diskutohet dhe rekomandohet edhe vaksinimi për të gjithë ata që do të hyjnë në vendin tonë”, tha Filipçe.
Kjo vjen nga nevoja që të shpërngulen shtetasit tanë që gjenden në Kabul, pas krizës që u shkaktua në Afganistan nga talebanët.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Afganistan ka rreth 100 shtetas nga Maqedonia, por tani për tani të gjithë janë në lokacione të sigurta.