AstraZeneca rifillon testime për një vaksinë antiCOVID-19

Grupi farmaceutik britanik “AstraZeneca” rifilloi testimet në Britaninë e Madhe mbi një vaksinë kundër epidemisë së koronavirusit të ri pas hapjes së dritës së gjelbër nga autoritetet shëndetësore, njoftoi sot grupi në një komunikatë, tre ditë pasi i ishte dashur t’i ndërpriste.

“Provat klinike të vaksinës së “AstraZeneca” kundër koronavirusit kanë rifilluar në Britaninë e Madhe pasi Autoriteti Rregullator Shëndetësor i Medikamenteve (MHRA) konfirmoi se nuk përbënte rrezik”, theksoi grupi, që po punon mbi këtë projekt me Universitetin e Oxford-it.

Pezullimi i provave klinike u vendos të mërkurën pas shfaqjes së një “sëmundjeje potencialisht të pashpjegueshme”, ndoshta një efekt anësor i rëndë, tek një pjesëmarrës në Britaninë e Madhe.
“Një komitet i pavarur u krijua më pas për vlerësimin e rreziqeve lidhur me vaksinën. Komiteti përfundoi hetimin dhe theksoi për MHRA-në se ishte i parrezikshëm fillimi i provave në Britaninë e Madhe”, deklaroi “AstraZeneca”.

Drejtori i përgjithshëm i grupit, Pascal Soriot theksoi se ishte e mundur marrja e një vaksine antiCOVID-19 deri në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Vaksina e zhvilluar nga “AstraZeneca” dhe Universiteti britanik i Oxford-it është një prej projekteve perëndimore më të avancuara, e testuar në dhjetëra mijëra vullnetarë në Britaninë e Madhe, në Brazil dhe në Afrikën e Jugut që prej 31 gushtit