Vazhdimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të prolongohet për shkak të qëndrimeve të kundërta të Kosovës dhe Serbisë, rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vlerësojnë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe nga Platforma CiviKos.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Derisa Kosova thotë se çështja e Asociacionit është çështje e mbyllur, edhe pse ende nuk është formuar, Serbia insiston që për këtë çështje duhet të diskutohet sërish. Madje, në takimin e fundit të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh në Bruksel, Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me këtë çështje. Edhe BE-ja këmbëngulë që Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse.
Të mërkurën, Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Xhavit Beqiti, këshilltar për media i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se pengesat ose ndërprerja e dialogut, duhet parë si “pjesë e strategjisë të Qeverisë serbe për t’i bërë obstruksione vetë procesit”.
“Ka qenë një strategji e tyre për t’i shkaktuar pengesa këtij procesi. Shtyrja apo vonesat eventuale (të takimeve) nuk janë aspak si pasojë e qëndrimit të Kosovës, por si pasojë e obstruksioneve të Qeverisë serbe. Beogradi zyrtar e di mirë se çështja e Asociacionit ka marrë fund me marrëveshjet që janë bërë më 2013 dhe në Marrëveshjen e parimeve më 2015”, tha Beqiri për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet me Kosovën, të nënshkruara në Bruksel, duhet të zbatohen, por jo “në përputhje me rregulloret e Kosovës”, sepse, sipas tij, “nëse gjithçka shikohet në këtë mënyrë, që të jetë në përputhje me rregulloret e Prishtinës ose Beogradit dhe të mos ndryshohet asgjë”, atëherë “është e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”.