Asnjë termin i lirë për testim të Covid-19, qytetarët kërkojnë ilaçin në bazë natyrore

Çairi mbetet vatra e infektimeve në Shkup. Ekipi i televizionit Alsat vizitoi sot disa ambulanca të mjekëve amë ku fluksi i shtuar i qytetarëve, të cilët kanë shfaqur simptome të Virusit Korona ka vërshuar sistemin “Termini im”. Për dallim nga më parë, qytetarët tani janë më të vetëdijesuar jo vetëm duke u paraqitur për teste, por edhe duke bërë apele respektimin e masave shëndetësore.

“Termin nuk ka, momentalisht s’kemi. Nëse dyshoni shkoni bëjeni privat ose të prisni kur të lirohet ndonjë termin do t’ju caktoj. Në Shkup nuk ka!…”.

Asnjë termin i lirë brenda javës për të bërë testin e CoVid-19 nuk ka në Shkup. Mjekët amë thonë se fluksi i shtuar i qytetarëve, të cilët kanë shfaqur simptome të Virusit Korona ka vërshuar sistemin Termini im. Sedat Lumani thotë se në vatrën më të madhe të pandemisë, të sëmurët janë në pritje të testimit, duke rrezikuar shëndetin e tyre pa asnjë trajtim mjekësor.

“Fakt është që ditëve të fundit ndodhemi në një situatë, mos të them por afër kaotikes, kemi shumë pacientë që kanë pasur kontakte me të sëmurë por edhe ata që kanë simptome. Për fat të keq ne si mjek amë nuk mund t’ju vijmë në shërbim pacientëve, t’ju caktojmë terminë” – tha Sedat Lumani, mjek amë.

Ndërkaq në Çair, në Komunën me më së shumti të infektuar zhvillohet jetë normale. Madje, ka qytetarë të cilët thonë se kanë gjetur ilaçin ndaj këtij virusi famëkeq.

“Ilaçi është shalqiri, ne e kemi gjetur këtu në Çair!”.

“Duhet të paraqitemi në telefon te mjeku dhe si do të na udhëzojnë. E besojmë, se kjo është një sëmundje që po vdesin njerëzit”.

“Në Çair më së paku i bartin maskat. I shoh gratë me fëmijë këtu që ecin pa e vrenjtur mendjen fare”.

“Jo gjatë gjithë jetës, ndonjëherë do ta harrosh por mirë është që të mbrohemi”.

Në gjashtë pikat e testimit në kryeqytet, mjekët amë tani më kanë mbushur terminët për marrjen e strishove. Qytetarëve me simptome të virusit autoritetet u kanë lënë dy zgjidhje: të shkojnë drejtë vdekjes në pritje ose të paguajnë një test privat që kushton 5 mijë denarë./Adnan Qaili