Asnjë nxënës pozitiv me Covid-19 në tre ditët e skriningut nëpër shkollat e mesme

Të gjithë nxënësit të cilët tashmë janë testuar në kuadër të skriningut në shkollat fillore dhe të mesme të vendit kanë rezultuar negativ ndaj Covid 19. Edhe në ditën e tretë, në Shkup, skriningu u realizua vetëm në shkolla të mesme. Në shkollën profesionale “Boro Petrushevski” u testuan gjithsej 27 nxënës, që të gjithë dolën negative. Këtë rezultat e morën edhe 6 nxënësit e testuar në shkollën tjetër profesionale “8 Shtatori”. Denis Jankullovski nga Qendra e Shëndetit Publik apelon prindërit të mos kenë dilema sepse testimi është i sigurt.

Kur bëhet fjalë për testet, ato janë teste të shpejta antigjen ku rezultatet i marrim pas 4-5 minutave. Marrim tamponët nga hunda. Sërish apeloj dhe po e sqaroj, që të mos kenë frikë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve, bëhet fjalë për shkopinj të thjeshtë për tampon që përdoren në mikrobiologji për gjetjen e baktereve. Nuk është asgjë e re dhe e frikshme, nuk shkakton dhimbje ose plagë, deri tash absolutisht nuk ka ndodhur asgjë e keqe – tha Denis Jankullovski, Qendra e Shëndetit Publik.

Skriningu apo verifikimi nëse në mesin e nxënësve është i pranishëm Covid-19 do të në përfshijë 8,200 nxënës në 364 shkolla fillore dhe 109 të mesme. Në shkolla të caktuara disa prind kanë refuzuar testimin e fëmijëve me arsyetimin se fëmijët nuk duhet testuar nëse nuk kanë simptoma të virusit korona.