Asnjë mjek nuk tentoi ta shpëtonte foshnjën në barkun e shtatzënës së vrarë para Gjinekologjisë


Për rreth dy orë, trupi i viktimës ka qëndruar në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe në videon e publikuar në media shihet se nuk është bërë përpjekje për ta shpëtuar jetën e foshnjës. Në QKUK nuk kanë pranuar të flasin për këtë. E avokatët thonë se primare, në këto raste, është jeta e njeriut
Asnjë përpjekje nuk është bërë nga mjekët për të shpëtuar jetën e foshnjës në barkun e shtatzënës që u qëllua për vdekje të mërkurën në oborrin e QKUK-së.

Mediat kanë mësuar se mjekë kujdestarë në Klinikën e Gjinekologjisë, në kohën kur ndodhi vrasja, ishin Flora Belegu, Agron Devaj e Berat Krasniqi. Në media ka qarkulluar një video, në të cilën shihen disa nga ta tek ia masin pulsin viktimës dhe e mbulojnë atë me çarçaf të bardhë, por pa ndërmarrë ndonjë intervenim tjetër. Mediat kanë tentuar të kontaktojë me mjekët kujdestarë, porse ata nuk ishin të qasshëm.

Menaxhmenti i QKUK-së nuk i ka dhënë leje asnjë mjeku të flasë nëse ka mundur të kryhet ndonjë intervenim në trupin e viktimës për të nxjerrë të gjallë foshnjën pas vrasjes së nënës. Në QKUK nuk janë përgjigjur as në pyetjet e adresuara përmes emailit. E lidhur me rastin, gjatë ditës nuk është përgjigjur as drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj. E avokati Anton Nrecaj ka theksuar se prioritet është shpëtimi i jetës së qytetarit.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me pjesën ku është pritur deri sa është bërë ekzaminimi nga njësitë e Policisë së Kosovës dhe viktima ka qëndruar aty. Në vendet e Perëndimit ka X raste ku viktima ka qenë shtatzënë, edhe pse ka vdekur, mirëpo ka pasur raste të tilla ku është intervenuar dhe fëmija ka shpëtuar”, ka thënë Nrecaj. Ai dha edhe shembuj se si veprohet në raste të këtilla.

“Në aspektin e kodit penal ose kornizës tonë ligjore vendi i ngjarjes nuk duhet të preket, mirëpo në rastin konkret supozojmë që ngjarja kishte ndodhur në rrugën ‘Luan Haradinaj’ dhe si duhet vepruar aty. Menjëherë personi i cili gjuhet me armë zjarri duhet të intervenohet me shpejtësi emergjente që të dërgohet në kujdesin mjekësor dhe këtu natyrisht edhe dështim të sistemit tonë të shëndetësisë”, ka shtuar Nrecaj. Edhe avokati Nasuf Hasani thotë se mjekët duhet të veprojnë, në raste kur vlerësohet se mund të shpëtohet një jetë.

“Jeta e njeriut është mbi të gjitha. Prandaj, mjekët kanë obligim ligjor të tentojnë shpëtimin e një jete – në çdo rast. Mjeku duhet të veprojë ku e vlerëson se mund ta shpëtojë një jetë. Shkenca mjekësore dhe ekspertët e lëmisë adekuate mund ta përcaktojnë shkakun e vdekjes”, ka thënë Hasani.

Për mosintervenimin e mjekëve nuk kanë pranuar të flasin ushtruesja e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu – Raci, e as ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku. Trupi i pajetë i viktimës kishte qëndruar për rreth dy orë në oborrin e QKUK-së./KOHA