Asnjë banjë publike në plazhin e Durrësit, pushuesit shfrytëzojnë detin për nevoja fiziologjike


Megjithëse impianti i ujërave të zeza është venë më funksion në plazhet e Durrësit, mungesa e nyjave hidrosanitare publike bën që ky bregdet të jetë ende i ndotur.

Në pikun e sezonit turistik, kur fluksi i pushuesve ka arritur kulmin, frekuentuesit ankohen për mungesën e banjave dhe dusheve publike.

Prej vitesh ky shërbim mungon në këtë plazh, duke mos marrë zgjidhje as këtë sezon turistik.

Mungesa e tyre detyron një pjesë të mirë të pushuesve t’i kryejnë nevojat e tyre fiziologjike në det, apo në lokalet buzë Adriatikut.

Por përpara, thonë pushuesit, duhet të bëhen klientë të tyre, ndryshe nuk i lejojnë.

Para viteve ’90, në plazhin e Durrësit ishin në funksion 11 banja publike. Por ky numër u reduktua në vazhdimësi, ndërsa aktualisht ky bregdet nuk disponon asnjë të tillë.

Në të tilla kushte, pushuesit janë të detyruar të kujdesen vetë për higjienën e tyre.

Ata duhet të zgjedhin mes dy mundësive; ose të shpenzojnë më shumë duke përdorur banjat private të bizneseve që operojnë në plazhin e Durrësit për një ambient më të pastër, ose të përdorin detin.