Prandaj kjo fjali është e trishtë, sepse është fryma e përgjithshme që ka pllakosur të gjithë e që ka të bëjë me mpirjen. Ne jemi një shoqëri e mpirë, ku shpesh ndihemi si të mallkuar, e nga zhgënjimet e mëdha e të njëpasnjëshme pllakosemi të shtangur. Si rrjedhojë ka vetëm një dëshirë, të largohemi nga ky realitet që duket aq i pashpresë dhe i vetmi akt revolte që bëhet është ikja. Dëshira për të ikur, e folura për të ikur, Ikja nga vendi është veprimi që kërkohet si shpëtim. Por për mua kjo është një problem më vete.A është një mosdashje të shihet realiteti në sy?A është një mungesë guximi për t’u përballë me të vërtetat?A është një dorëzim i pa shpresë?Se di.Po atë që e shoh dhe ajo që ndodh është se për momentin ikja nga ky vend është akti më i madh i revoltës që e bëjnë njerëzit. Po kjo është e tmerrshme, tmerri vetë. Sepse po të ikën njerëzit këtu më s’do ketë asgjë. Kushdo që të mbesë, do zhbëhet. Kurse e vërteta është se njerëzit ikin se nuk besojnë më se ka mbetur dikush që përfaqëson institucionet e që ka një fije përgjegjësie.
Padyshim që kjo përplasje me realitetin vjen edhe një herë si një shtangie e madhe pas aksidentit në Bullgari, sikur nuk i dinim më këto gjëra. Por irritimi e zemërimi rritet. Rritet më shumë kur marrim vesh njoftime se çfarë ka ndodhur me autobusin fatzi. Sepse përveç dhimbjes të madhe që ndjejmë me familjarët për humbjen e tmerrshme rritet zemërimi sepse gjithçka na zbërthehet edhe një herë, e që ka të bëjë me mungesën e madhe të përgjegjësisë, e kjo duket sikur këtë vend ka kapur një gjamë e madhe.Por më, miq, të vërtetës nuk duhet t’i ikim. Ajo ka një emër: Injorancë. Injorancë kudo, në shtet, në rrugë, në shkolla, në institucione, në parti,… kudo. Dhe e dini ku e vini re më së miri, kur gjithë kjo tragjedi tentohet të justifikohet me fjalitë “vullnet i Zotit”, apo “dëshirë e fatit”.Jo.Jo dhe jo. Zoti nuk është vrasës, dhe Zoti dhe cilit do Zot që i besoni, nuk do që të djegë njerëzit e vetë. Çfarë Zoti do ishte ai që djeg fëmijë për së gjalli. Është e tmerrshme të justifikosh krimin, korrupsionin, aktet që s’kanë të bëjnë me hyjnoren dhe sublimen, duke përmendur Zotin. Këto justifikime i duan ata që duan t’ia hedhin krimit dhe pangopësisë së tyre. Zoti, miq, duhet këto ditë për të dhënë kurajo e për të ndihmuar për të gjetur paqe për humbjet e mëdha.
Dhe më erdhi mirë që në këtë linjë ishte edhe Hoxha Benjamin Idrizi, i cili vepron në Mynih të Gjermanisë dhe ku prerë thotë se “kjo tragjedi nuk është si pasojë e dëshirës së Zotit. Zoti, të cilit i besojmë paluhatshëm është i Mëshirshëm, se nuk dëshiron që krijesat e Tij të digjen në zjarr në mënyrë të pamëshirshme”. Madje ai direkt do shkruajë: “Tragjedia e autobusit: Krim i madh dhe mëkat i pafalshëm”.Por edhe kjo një ironi në vete, sepse Hoxha i nderuar jeton në Gjermani, ku me gjasë edhe kjo logjikë vjen sepse kemi të bëjmë qartë me të kuptuarit, por edhe me të funksionuarit shumë mirë të sistemit. Pra një vend ku dihet se ku është përgjegjësia dhe prandaj dhe nuk mund të ngatërrohet fajësia, e ku më ajo t’i lihet Zotit e fatit.Por mbrapshtësia tek ne këtu qëndron, se çdo gjë është lëmsh. Madje në disa raste kishim dhe kemi aq papërgjegjësi sa këtë nocion të “fatit të përcaktuar” nga lartë disa duan ta fusin edhe në politikë. Ky është ai moment broçkull dhe që lidhet ngushtë edhe me mungesën e edukimit të duhur, ku disa duke marrë emocionin fetar, duan ta fusin veten dhe ta lidhin këtë me politikë.A e shohin tani sa fatale është kjo? Sepse me lutje nuk zgjidhet asgjë. Me lutje veç kërkohet paqe dhe uroj që të gjithë e sidomos familjarët ta gjejnë atë në këto ditë të vështira. Por me lutje nuk luftohet as krimi, as korrupsioni e as të këqijat e tjera. Dhe JO, nuk është as fat e as dëshirë e Zotit të jesh viktimë e papërgjegjësisë njerëzore. Prandaj ikni sa më larg atyre që ngatërrojnë fenë, besimin me ligjet e përgjegjësinë. Ata janë për mua justifikuesit më të mëdhenj të të këqijave se mbjellin mendësinë relativizuese, e që në fund justifikohet me “dëshirën e Zotit”.
Por jo vetëm kjo shtresë politikanësh dhe jo vetëm, por edhe ne të gjithë të tjerët kemi përgjegjësinë tonë në zhvillimin e kësaj kulture relativizuese.Fillon çdo ditë me ty e me mua. Kur pimë kafen e mëngjesit dhe lejojmë të paguajmë atë pa faturë, kur kalojmë në semafor të kuq nga shpejtësia, kur marrim në telefon një mik për të kryer një punë, kur shkojmë në zyra e s’bëjmë punët, kur duam të dalim jashtë radhe kudo që jemi, kur s’kërkojmë përgjegjësi, kur heshtim dhe nuk kërkojmë fajtorët dhe kështu të gjithë pranojmë se një përgjigje situatat duhet ta kenë, se ashtu ishte fati. Dhe kënaqemi me kaq.Por jo.JO!Fati i askujt s’duhet të jetë të digjet në autobus, sepse pronarët kanë punuar pa licencë, fati askujt s’duhet të jetë të vdesë, sepse institucionet s’kanë bërë kontrollet, fati i fëmijëve s’duhet të jetë të ikin nga kjo botë në mënyrën më të tmerrshme të mundshme me britma dhe dhimbje, sepse pangopësia është bërë normë.Jo miq.Logjikën e “ashtu e deshi fati” e duan vetëm ata që s’arrijnë të kuptojnë peshën e madhe të përgjegjësisë, e vetëm ata e duan këtë justifikim.Asnjë fat e asnjë Zot nuk do dhimbje kaq të mëdha.Fajet e tilla janë njerëzore.
Prandaj me gjasë ka heshtje nga të gjithë. Dhe mbase prandaj, ku të gjithë ndihen pjesë e këtij sistemi që ushqen veç korrupsion, revolta shprehet veç me ikje.Për fat të keq, për deri sa s’do ketë përgjegjësi, që nga vetja e deri tek maja e institucioneve, kokulur të gjithë do ikin, e dinë ose jo gjermanishten!Por edhe ikja s’është as fat e as vullnet i Zotit, është akt i vetëdijshëm ndaj pafuqisë për tu përballë me paaftësinë dhe injorancën e shkelësve të ligjeve njerëzore.-Nga Nazim RASHIDI