Ashpërsohet debati mbi çështjen e imigracionit

Presidenti Donald Trump po këmbëngul në politikën e tij të “tolerancës zero” për imigracionin e paligjshëm, një lëvizje që ka bërë që të paktën 2,000 fëmijë pa dokumente të ndahen nga prindërit e tyre në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë të zemëruar, po ashtu janë ashpërsuar polemikat mes ligjvënësve në Kongres.

Presidenti Donald Trump do të takohet sonte me republikanët në Kongres, takim që vjen në një moment të rëndësishëm – si për presidencën ashtu edhe për partinë e tij – ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët përgatitet të hedhë në votë dy projektligje shumë të ndryshme të imigracionit këtë javë.

Debati po ngarkohet emocionalisht nga zemërimi publik lidhur me ndarjet e fëmijëve nga prindërit në kufin me Meksikën. Muajin e kaluar administrata Trump filloi ndjekjen penale të të gjithë emigrantëve që përpiqen të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin, duke rezultuar në ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre ndërkohë që i nënshtrohen procedurave të azilkërkimit.

Dikur një praktikë e rrallë, por tani rutinë: ndarja e të miturve pa dokumente nga prindërit e tyre dhe mbajtja e tyre në një sërë objektesh pranë kufirit ndërsa procedohen rastet e tyre ligjore.

“Ky nuk është Teksasi që unë njoh. Kjo nuk është Amerika ku jam rritur”,thotë protestuesja Dora Saavedra.

Shfaqja më e fundit e vendosmërisë së administratës Trump për të mbajtur, gjykuar dhe deportuar emigrantë pa dokumente si dhe për të ngritur standartet për azilkërkuesit në kufi ka shkaktuar një reagim të ashpër.

Por presidenti Trump duket i palëkundur.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë një kamp emigrantësh apo një strukturë e mbajtjes së refugjatëve.”, deklaroi ai.

Administrata këmbëngul se ajo thjesht po mbyll një të çarë në zbatimin e ligjit të imigracionit, duke thënë se administratat e kaluara i kanë dhënë trajtim të privilegjuar emigrantëve pa dokumente që kanë fëmijë me vete.

“Fjala u përhap për këtë të çarë të ligjit dhe rezultatet ishin të parashikueshme. Numri i të huajve që kalojnë në mënyrë të paligjshme me fëmijë shkoi nga 14,000 në 75,000 – në vetëm 4 vjet – një rritje prej 5 herësh. Kjo nuk mund të vazhdojë. Ne nuk mund dhe nuk do të inkurajojmë njerëzit që t’i sjellin fëmijët e tyre në mënyrë të paligjshme duke u dhënë atyre imunitet “,tha Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

Zoti Trump ka akuzuar vazhdimisht demokratët për paralizën e vjetër të Uashingtonit në zgjidhjen e çështjes së emigracionit. Tani, demokratët dhe një numër gjithnjë e më i madh republikanësh po bashkohen në një kundërshtim të ashpër për ndarjet e familjeve.

Senatori republikan Ben Sasse e quajti politikën “të ligë” dhe “të dëmshme për fëmijët”. “Amerikanët janë më të mirë se kaq”, tha ai.

“Ajo që po bëjmë ne po u shkakton dëm të madh këtyre fëmijëve dhe prindërve – gjë që është krejtësisht e panevojshme gjatë kësaj kohe kur ata presin vendimin për azil”,tha senatori demokrat Jeff Merkley.

Demokratët e Senatit paraqitën një projekt-ligj që ndalon ndarjen e familjeve, kur mirëqenia e fëmijës është në rrezik. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve voton këtë javë për dy ligje republikane që do ta ndryshonin sistemin e imigracionit dhe do të rrisnin sigurinë kufitare. Nuk është e qartë nëse projektligjet mund ta marrin vota të mjaftueshme për t’u miratuar.