ASH: Rritja e vazhdueshme e numrit të të infektuarve dëshmon për keq menaxhimin e vazhdueshëm të qeverisë


Rritja e vazhdueshme e numrit të të infektuarve dëshmon për keq menaxhimin e vazhdueshëm të qeverisë me situatën e krijuar nga pandemia Covid19! E ky keq menaxhim dëshmohet nga pozicionimi i Maqedonisë së Veriut në vendin e 130-të për nga mënyra e menaxhimit të krizës me Coronavirusin. Në kohën kur të gjitha shtetet përreth lajmërojnë për uljen e numrit të të infektuarve, tek ne ky numër po rritet.

Me këto të dhëna, Maqedonia e Veriut vendoset në listën e “zezë”- që do të thotë restrikcione, respektivisht ndalesë për udhëtim të banorëve tanë jashtë shtetit. E njëkohësisht edhe ardhje të qytetareve nga shtetet tjera këtu. Kjo sjell vështirësi për çdo qytetarë të vendit tonë dhe thellon edhe më tepër situatën ekonomike, e cila edhe ashtu është mjaft e vështirë.

Këto janë fakte të mjaftueshme të cilat ngarkojnë me përgjegjësi ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, koordinatorin e shtabeve të krizës së komunave Bujar Osmani, anëtarët e shtabit të krizës dhe të gjithë të angazhuarit për menaxhim të krizës, të cilët së paku nga aspekti moral duhet të dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme nga postet e tyre!

Qytetarët nuk e kanë për borxh që paaftësinë e këtyre personave ta paguajnë me shëndetin e tyre. Fatkeqësisht qeveria ende nuk po tregon pjekuri për seriozitetin e situatës prandaj edhe duhet të ndërmerren urgjentisht masa.

Vullnet Ferati,
Nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët