ASh: “Rezultatet e regjistrimit janë të manipuluara! Diaspora të regjistrohet në komunat vendore”

Nga Aleanca për Shqiptarët kërkojnë nga Enti Shtetërorë për Statistika që të largojnë nga statistika 132.000 banorë, regjistrimi i të cilëve është bërë nga të dhënat administrative. Nga ASh thonë se nëse nuk korrigjohen këto të dhëna, EShS duhet të mbaj përgjegjësi penale në bazë të nenit 49 të Ligjit për Regjistrim.

“Ligji për regjistrimin e popullsisë parasheh që qytetarët të regjistrohen sipas vendit ku banojnë dhe jo adresës në regjistrat amë, ndërsa kryqëzimi i të dhënave bëhet vetëm për personat që janë regjistruar në terren dhe nuk mund të evidentohen persona që nuk janë takuar në terren. Apelojmë që urgjentisht të hiqen 132 mijë të imputuarit pasi nuk janë regjistruar në terren, u mungon përkatësia etnike, shtëpitë ose banesat ku jetojnë, profesioni, niveli i arsimimit, vendi i punës dhe shumë të dhëna të tjera”, tha Naim Bajrami nga ASh.
Nga ASh kanë kontestuar edhe regjistrimin e diasporës.

“Përfshirja e personave të imputuar pa përkatësi etnike nga njëra anë dhe mospublikimi i vendbanimit të personave nga diaspora kanë luajtur rol negativ në paraqitjen e përqindjes reale të bashkësive etnike në vend dhe me këtë rrezikohen të drejtat kolektive që gëzonim deri më tani. Konkretisht, përqindja e shqiptarëve në Kërçovë ka rënë nën 50% dhe me këtë rrezikohet përdorimi i flamurit kombëtar”, pohoi Naim Bajrami nga ASh.