ASH reagon për të dhënat preliminare të regjistrimit, kërkojnë sqarime nga Enti i Statistikave

E pas të dhënave preliminare që i publikoi Enti i Statistikave për Regjistrimin e popullsisë, me reagim sot dolën nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët.

“Më 30 shtator, Enti i Statistikave njoftoi se regjistrimi kishte përfunduar dhe se në vend janë regjistruar 1.832.696 qytetarë. Jashtë vendit janë regjistruar vetëm 204.805 qytetarë. Sipas kësaj në regjistrimin e popullsisë të mbajtur në vitin 2021 në Republikën e Maqedonisë së Veriut jetojnë 1.832.696 qytetarë rezidentë dhe 204.805 jorezidentë, respektivisht të cilët jetojnë në vende të tjera të botës.

Tani mund të konkludojmë se numri i përgjithshëm i banorëve të vendit tonë (rezident dhe jo-rezident) është 2.037.501 banorë, ose në krahasim me regjistrimin e vitit 2002 rritja është vetëm për 14.954 banorë, ose 31.307 më pak se sa thoshte Enti i statistikave në fund të vitit të kaluar. Duke marrë parasysh që regjistrimi përfshinte edhe familjet dhe banesat, tanimë dihet se janë regjistruar 568.175 amvisëri dhe 837.255 banesa, prej çka konstatohet se në shtet kemi 269.080 banesa më shumë se amvisëri. Kjo do të thotë se 41.09% e familjeve në vendin tonë posedojnë më shumë se një banesë”, tha Halil Snopçe nga ASH.