Opozita vazhdon llogaritjet e saj për një shumicë të re parlamentare. Mediat folën sot me dy partitë e opozitës shqiptare në koalicion, ASH e AAA, për hapat e rinj në këtë drejtim. Arben Taravari tha sot se kushtet për një maxhorancë të re ekzistojnë, sipas tij, për shkak të dështimit të LSDM-së dhe BDI-së në zgjedhjet lokale
“Natyrisht nuk them se i kemi numrat komplet, por jemi në negociata dhe ekziston një probabilitet i madh që së shpejti të ketë një Qeveri të re në të cilën nuk do të ishin LSDM dhe BDI. Komunikojmë me shumë parti por edhe me deputet të cilët janë pjesë e shumicës së re, të cilët nuk janë përfaqësues të ndonjë partie”- deklaroi Arben Taravari, ASH.
Por, sa i përket llogaridhënies dhe përgjegjësisë së brendshme në parti, lidhur me rezultatet e tyre të zgjedhjeve lokale, Taravari, si sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, tha se ende ka shpresa që Dibra të kalojë në duart e tyre. Ai madje shtoi se Aleanca për Shqiptarët ka nevojë për kreun e saj Zijadin Sela, pa e vënë në diskutim largimin e mundshëm të tij.
“Në Dibër shkojmë edhe një raund, në raundin e dytë, e ma merr mendja do të ketë risi, mendoj se edhe një komunë të tretë e cila është Dibra me të gjitha gjasa do ta fitojmë… Ne duhet ti analizojmë rezultatet dhe pastaj të bisedojmë, të shohim çfarë edhe si më andej. Mendoj se zotëri Sela nuk është në përfundim të karrierës, ai është 5-6 vjet në politik dhe ja vlen të vazhdon”- pohoi Arben Taravari.
Nga zërat për përgjegjësi në partnerin e tyre të koalicionit opozitar, “vlon” edhe Alternativa e Afrim Gashit. Megjithatë, ALSAT, në përgjigjen që mori nga kjo parti, kuptoi se rrugëtimi drejt përgjegjësisë së mundshme, si dhe qëndrimit mbi maxhorancën e re, do të bëhen publike pas analizave të brendshme.
“Alternativa ditëve në vazhdim do të zhvillojë debat të brendshëm dhe analizë të zgjedhjeve. Pasi ti përmbyllim këto debate do të analizojmë situatat e reja të krijuara në vend”.
Ditëve të fundit, përfaqësues të Aleancës janë takuar shpesh me kreun e opozitës maqedonase Mickoski, takime këto të zhvilluara në emër të koalicionit të përbashkët opozitar ASH- AA, edhe pse në partinë tjetër Alternativa ka qëndrime më të zëshme rreth refuzimit të “Levicës” në një shumicë të re të mundshme me opozitën maqedonase.