ASH propozon katër masa anti-Kovid, Qeveria urgjentisht t’i marr parasysh

Aleanca për Shqiptarët (ASH) propozon katër masa të reja anti-Kovid-19. Bekim Tateshi nga Departamenti i Shëndetësisë pranë kësaj partie theksoi se Qeveria urgjentisht duhet ti marrë parasysh këto masa në mënyrë që të zbutet situata aktuale me përhapjen e virusit Kovid-19.
Sipas tij, ASH ka këto propozime që janë emergjente:

1. QKU “Nënë Tereza” në Shkup, të shpallet Zonë e Gjelbër ku do të trajtohen pacientët me nevoja të ndryshme në institucionet terciare, ndërsa COVID qendër e vetme në vend të jetë Spitali 8 Shtatori, me të gjitha kapacitetet e tij, ku do të trajtohen të gjithë të prekurit me virusin korona duke bërë riorganizim të kuadrit mjekësor dhe punës brenda në spital dhe njëherit urgjentisht të ndërtohen disa spitale modulare rreth këtij institucioni shëndetësor, duke rritur kapacitetet e shtretërve dhe të shërbimeve.

2.Kazerma “Ilinden” dhe Salla e sporteve “Boris Trajkovski” urgjentisht të përgatiten për spitale të improvizuara për pranim të pacientëve me COVID 19.
3.Personeli mjekësor ushtarak nga radhët e Armatës së Maqedonisë së Veriut, të kyçen në mjekimin e pacientëve me COVID 19 në spitalet publike, dhe

4.Të kërkohet ndihmë ndërkombëtare, konkretisht të angazhohen mjekë me përvojë nga shtetet që kanë treguar rezultate të mira në mjekimin e COVID 19.
Tateshi nënvizoi se ASH shpreh falënderime për të gjithë stafin të cilët janë në front të parë në luftën me virusin korona, duke i vendosur fokusin në dy probleme kryesore.

“Si parti dhe si departament duam të urojmë dhe t’i falënderohemi mjekëve dhe personelit tjetër ndihmës, për luftën dhe punën e pakursyeshme në nëntë muajt e kaluara, kundër kësaj murtaje të shekullit 21. Jemi duke kaluar periudhë të rëndë: në njërën anë me një armik të padukshëm dhe të rrezikshëm, e në anën tjetër, me politika shëndetësore joadekuate, konfuze dhe shumë të vonuara” deklaroi Bekim Tateshi nga ASH.