ASH: Përkrahim idenë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

Aleanca për Shqiptarët ndjek me vëmendje zhvillimet në lidhje me pandeminë e shpallur të koronavirusit. Po ashtu, me shumë vëmendje i kemi analizuar hapat e mëtejshëm që duhet të marrin institucionet e vendit.

Ekzistojnë dilema ndërmjet shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes së krizës. E para e paraparë me kushtetutë dhe e dyta me ligj. E para do t’i jepte pushtet absolut presidentit dhe e dyta qeverisë.

Ajo që është më e rëndësishme se të dyja këto është disiplina, përgjegjësia dhe kujdesi i gjithsecilit prej jush që duhet ta ketë për veten e tij, për të afërmit e tij, për popullin e tij! Prandaj, ju lutemi kufizoni në maksimum lëvizjet, izolohuni, është e vetmja formë për të luftuar shpërndarjen e virusit dhe sëmundjen që shkakton ai tek njerëzit.

Mos respektimi rekomandimeve të dhëna deri tani nga OBSH dhe qeveria ka bërë që të propozohet edhe gjendje e jashtëzakonshme.

Gjendjen e jashtëzakonshme qytetarët e Maqedonisë së Veriut me të drejtë e kanë perceptuar si diçka kundër lirisë së tyre por, situata e krijuar me pandeminë nuk le mundësi tjetër.

Aleanca për Shqiptarët e përkrahë idenë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme por, në të njëjtën kohë i bëjmë apel presidentit të shtetit që në kuadër të shtabit të krizës të sigurojë mekanizëm kontrolli nga ana e opozitës në përgjithësi, e në veçanti të asaj shqiptare. Tani më që dihet se parlamenti i Maqedonisë së Veriut është shpërndarë imponohet nevoja e një mekanizmi kontrolli nga ana e opozitës në shtabin e krizës, e gjithë kjo, me qëllim që të mos keqpërdoret gjendja e jashtëzakonshme dhe të rritet besueshmëria e këtij shtabi tek të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike.

Aleanca për Shqiptarët