ASh pa përgjigje për Selën, Zendeli tregon pse nuk ishte i pranishëm në votimin e propozimit francez

Opozita shqiptare i ka mbështetur me votë konkluzionet e Kuvendit për propozimin francez, por jo të gjithë deputetët shqiptarë opozitarë ishin të pranishëm në votim. Nga lista e votimit duket se mes deputetëve shqiptarë që nuk ishin të pranishëm, janë kreu i ASh-së Ziadin Sela dhe deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli. Nga Aleanca për Shqiptarët ende nuk kemi marrë përgjigje për mosprezencën e Selës, ndërsa deputeti Zendeli tha se nuk gjendet në vend.

“Jam jashtë Maqedonisë që nga dita e martë. Jam në një projekt në Maroko”, tha Zendeli.

Dje Kuvendi me 68 vota “për” miratoi propozim konkluzionet e dorëzuara nga LSDM-ja dhe BDI-ja pas debatit për Informacionin për përmbajtjen e Propozim kornizës negociuese për negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, të propozuar nga Presidenca franceze me Këshillin e BE-së. Pas kësaj Qeveria e miratoi propozimin francez, ndërsa të martën pritet të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.