ASH: Organizatorët kryesor të ngjarjes së 27 prillit, janë jashtë shtetit ose në pushtet

Aleanca për Shqiptarët(ASH) sot ka mbajtur konferencë me gazetarët me rastin e tre vjetorit të ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Më poshtë komunikata e plotë:

Sot jemi në një nga ditët aspak të zakonta të vitit për dy arsye, siç është kjo e 27 prillit.

1. Prej 11 marsit, kur OBSh-ja shpalli zyrtarisht gjendjen e pandemisë, ne jemi të gjithë nën të njëjtën trysni e presion të vazhdueshëm nga rreziku i COVID-19. Mirëpo duket se edhe vendi ynë si disa vende të tjera tashmë po planifikon lehtësimin e masave. Duam të bëjmë një apel shumë të rëndësishëm tek të gjithë qytetarët e republikës sonë, në lidhje me këtë fazë:

Me lehtësimin e masave nuk do të thotë ulje e rrezikshmërisë së virusit. Madje me lehtësimin e masave duhet të shtohet mobilizimi ynë, pasi tashmë fillojmë dhe të dalim të gjithë në fushë të betejës. Ju lutemi që të zbatoni me përpikëri mbajtjen në mënyrë efikase të maskës dhe dorezave bashkë me distancën të paktën prej dy metrash.

Nëse këto nuk zbatohen mund të jemi viktima të ndonjë shpërthimi të dytë të infektimit, shumë më dramatik se sa situata aktuale që kemi.

2. Tani dua të kaloj tek veçantia tjetër që ka 27 prilli për ne. Ju e dini se tashmë kjo datë mbahet mend nga të gjithë si dita që desh mori jetën e z.Ziadin Selës, kryetarit të partisë tonë, i cili ishte i vetmi kryetar i ndonjë partie shqiptare që mori pjesë në betejën historike të kësaj date të 2017-ës, kur u rrëzua një regjim që e mbylli dhe izoloi totalisht mbi 10 vjet RMV-në, një regjim i përbërë nga binomi BDI – VMRO.

Sigurisht që nuk duam të kujtojmë dhunën makabre që u ushtrua mbi trupin e tij, por sot duam që kjo datë të kujtohet nga të gjithë si dita kur Ziadin Sela u vu në ballë të betejës që vendi ynë të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Sot, 3 vjet pas këtij rasti, fatkeqësisht organizatorët kryesor të ngjarjes së 27 prillit, janë jashtë shtetit ose nëpër koloaret e pushtetit, kurse njeriu që e shpëtoi z.Selën, z Feta Halimi, është në burg padrejtësisht!

Mos ardhtë më asnjë ditë ku gjërat e mira do duhet t’i fitojmë me gjakun tonë! E bëfshim këtë vend më të mirë me votë dhe jo me dhunë!
Po e mbyllim deklaratën tonë duke ju rikujtuar; është jetike të zbatoni rregullat. Sa më shumë serioz ne, aq më shpejt mbaron kjo gjendje!