ASH: Në Tetovë mbështesim Bilall Kasamin

Mbështetja e Aleancës për Shqiptarët ndaj Bilall Kasamit në Tetovë është e pakushtëzuar dhe e pakthyeshme thonë për Alsat nga partia Ziadin Selës. Në raundin e dytë, Kasami hyn në garë për Tetovën më mbështetjen e ASH-së kundër Teuta Arifit të BDI-së. Ky vendim i partisë opozitare pritet të kalojë edhe në organet e partisë, ndërsa në raport me partinë Alternativa mësohet se ditëve në vijim Aleanca do të angazhohet që partneri i koalicionit të rreshtohet në mbështetje të Kasamit.

Alsat sot kontaktoi kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për të mësuar nëse do të kërkojë mbështetje publike nga Alternativa, por deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje. Ndërkohë mbështetje nga LSDM-ja për Tetovën kërkon edhe BDI-ja. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani tha se pavarësisht aktualitetit politik në Tetovë, LSDM-ja duhet ta mbështesë kandidatin e BDI-së.

“Ne apelojmë për mbështetjen e të gjithë qytetarëve dhe gjitha partive politike, e duam votën dhe mbështetjen e gjithëve. Në kontekst të koalicioneve konkrete ju thash se kërkojmë nga partneri i koalicionit të mbështesë platformën tonë dhe kandidatin tonë në Tetovë”– deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Por kryeministri Zoran Zaev thotë se në Tetovë do të vendosin votuesit cilin kandidat do ta mbështesin. Zaev tha se nuk mund t’i obligojë qytetarët të përcaktohen për njërin ose tjetrin opsion.

“Aty ku jemi me dy kandidatë të partnerëve të koalicionit, normalisht që mbështetësit tanë vendosin lirshëm. E thashë edhe mbrëmjen pas zgjedhjeve se askush nga ne nuk i mban votuesit tanë në xhep dhe as nuk ka kontroll ndaj tyre”– pohoi Zoran Zaev, Kryeministër.
Për mbështetjen në Tetovë, VMRO-DPMNE-ja do të vendosë të shtunën kur edhe ka thirrur mbledhjen e organeve të partisë.

“Të shtunën në Ohër kemi thirrur mbledhje të Kuvendit Qendror dhe atij Ekzekutiv. Në atë mbledhje do të kemi qëndrim më të qartë dhe do të dalim ta kumtojmë në opinion. Kandidat të pavarur ka edhe në Debarcë jo vetëm në Tetovë dhe Kumanovë”– tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ditë më parë sekretarët e dyja subjekteve, ASH-së dhe Besës, Arben Taravari dhe Arjanit Hoxha pas takimit të zhvilluar në Gostivar dolën me qëndrime se mbështetja reciproke do të funksionojë mbi parimin se gjithkund ku ka kandidatë do të ketë mbështetje, përkatësisht koalicion kundër kandidatëve të BDI-së./AlsatM