ASh: Ministria e Kulturës dhe Agjencia e Filmit vazhdon të diskr*iminojë shqiptarët, të ndalojë kjo qasje

Agjencia e Filmit në RMV dhe jo vetëm i trajtojnë shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, madje edhe më keq, kështu deklaruan sot nga koalicioni ASh-AAA në Tetovë duke komentuar faktin se nga buxheti i përgjithshëm i Agjencisë të Filmit, vetëm 11.11% për këtë vit janë ndarë për shqiptarët.
Sipas kryetarit të degës së Aleancës për Shqiptarët (ASh) në Tetovë, Muzafer Etemi, në Agjencinë e Filmit të RMV-së nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, rrjedhimisht, shqiptarët sipas tij nga kjo agjenci po trajtohen si qytetarë të rendit të dytë.

“Programi vjetor i Ministrisë së Kulturës për vitin 2021 ishte skandaloz dhe për ne i papranueshëm. Por fokusi i revoltës sonë kësaj radhe është Agjencia e Filmit e RMV. Ky institucion, dhe jo vetëm ky, po trajton shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, madje edhe më keq. Nga gjithë të punësuarit, nuk ka asnjë shqiptar, nëpër komisione gjithashtu, ose nuk ka shqiptarë ose janë jo të denjë për të vlerësuar.

Për çdo autor shqiptar që aplikon në agjencinë e filmit ka harxhime shtesë, duke u marrë me përkthimin e dokumenteve, skenarëve, etj etj… që i bie ne ketë rast ne harxhojmë më shumë se producentët maqedonas. Thuhet se kinse Agjencia i pranon skenarët edhe në gjuhën shqipe, mirë shumë, por kush i lexon në gjuhën shqipe? (Mungojnë lexuesit shqiptarë) D.m.th. nëse qenka me ligj që pranohen edhe skenarë në gjuhën shqipe, atëherë janë të nevojshëm 3 lexues shqiptarë e jo vetëm 1” deklaroi Muzafer Etemi nga koalicioni ASh-AAA.

Nga ky koalicion gjithashtu shtuan se ueb faqja e Agjencisë së Filmit është vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, kjo sipas tyre është e qëllimshme dhe bën injorimin dhe anashkalimin e artistëve shqiptar.
“Në Ueb faqen e Agjencisë së filmit, kemi gjuhën Maqedone dhe Angleze, askund nuk figuron gjuha shqipe! Ueb faqja e agjencisë në facebook, vazhdimisht bën promovimin e artistëve maqedonas, ndërsa anashkalon apo injoron krejtësisht projektet e artistëve shqiptarë.

Agjencia e filmit, këtë vit ka mohuar AUTORIN regjisor shqiptar, dhe ato dy projekte qe i ka nda i ka dhënë ne profile të ndryshme, si aktorë qe bëjnë regji, kjo është ofenduese dhe shihet se askujt nuk i bëhet vonë për projektet shqiptare, por vlerësohen shkel e shko.
Ketë vit janë ndarë mjete vetëm për 1 film të shkurtër shqiptar, qe d.m.th. publiku shqiptar ka të drejtë të shikojë një film të shkurtër, kurse ai maqedonas 8 filma të shkurtër” deklaroi Muzafer Etemi nga ASh-AAA.

Etemi gjithashtu shtoi se nga buxheti i përgjithshëm i Agjencisë të Filmit, për shqiptaret janë ndarë 11.11% e mjeteve. Ai ftoi të gjithë producentët, regjisoret, aktorët dhe artistët shqiptarë të themelojnë shoqatë përmes së cilës do ti mbronin të drejtat e tyre.