ASH kërkon shkarkimin e ministres teknike, Rashela Mizrahi

Aleanca për Shqiptarët kërkon shkarkimin e ministres së Punës dhe Politikave Sociale, Mizrahi.

“Mos respektimi i ligjit si dhe nxitja e gjuhës së urrejtjes nga ana e ministres teknike për punë dhe politikë sociale duhet të ketë për pasojë shkarkimin e saj nga posti i ministres. Kjo sjellje e saj është jo korrekte dhe nënçmuese, prandaj e njëjta duhet të mbajë edhe përgjegjësi. Fjala ministër do të thotë shërbëtor, dhe duke marrë parasysh që çdo ministër vjen në atë pozitë për të qenë në shërbim të popullit të njëjtët edhe duhet të sillen në pajtim me detyrimin që marrin përsipër që nga emërimi i tyre. Kujtojmë se, gjuha shqipe është gjuhë përdorimi i të cilës garantohet me ligj dhe kushtetutë, ndërkaq flitet nga më shumë se 1/3 e popullsisë së përgjithshme në vend me të drejtë autoktone dhe historike”, thekson ASH.

Kjo parti reagon ashpër ndaj sjelljes së ministres teknike e cila në mënyrë të drejtpërdrejt shkel ligjin, ndërkaq nga ana tjetër shprehet e gatshme për pagimin e dënimit me paratë e ministrisë duke harruar që buxheti i asaj ministrie mbushet pikërisht edhe nga taksapaguesit shqiptar gjuhën e të cilëve ajo mundohet ta mohojë!”, thuhet ne reagimin e Aleances për Shqiptarët.