Nga Aleanca për Shqiptarët sot përmes një konference për shtyp kanë theksuar se mbështesin vendimin e fundit të Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë.
Ilire Dauti nga kjo parti tha se përmes amendamenteve në Propozim Ligjin e Qeverisë për rrogën minimale kërkojnë që edhe pagat tjera të rriten në mënyrë proporcionale ndërsa theksojnë se Qeveria duhet të sigurojë ndihmë edhe për punëdhënësit.
“Si pikë e parë-japim mbështetje të padiskutueshme për rritjen e pagës minimale në 18 000 denarë. Pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve të cilat janë të domosdoshme për jetesë dhe jo vetëm, rritjes së çmimit disa herë më radhë të energjisë elektrike dhe rritjes së vazhdueshme të çmimit të derivative të naftës, rritja e rrogës minimale është e domosdoshme dhe e pashmangshme.
Së dyti-kjo rritje e egër e çmimeve ka prekur rëndë në xhepin e çdo qytetari, prandaj nëpërmjet amendamentit të propozuar që sot në Komisionin për Punë dhe Politikë sociale do jetë pjesë e debatit, kërkojmë që: lartësia e pagave të të punësuarve në sektorin publik, të vërtetuara me ligje të posaçme, rregulla të përgjithshme për marrëdhëniet e punës dhe marrëdhëniet kolektive, të rriten në mënyrë ekuivalente me rritjen e rrogës minimale, të vërtetuara me Ligjin e pagës minimale duke filluar me pagesën e rrogës për muajin mars të vitit 2022, përveç personave të zgjedhur dhe të emëruar.
Si pikë e tretë-për të shmangur largimin e punëtorëve nga puna si dhe pasojave në vetë likuiditetin e subjekteve afariste, poashtu me amendament propozojmë që: punëdhënësve t’u sigurohet ndihmë financiare për pagesën e diferencës nga kontributet dhe tatimin personal të pagës minimale neto të rritur për periudhën mars 2022-dhjetor 2024, në vlerë prej 1. 505,00 denarë”, deklaroi Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët.