Aleanca për Shqiptarët reagon se askush nuk ka të drejtë të detyrojë tjetrin të nënshkruaj diçka pa e lexuar dhe kuptuar se çfarë do të nënshkruaj. Sipas kësaj partie, pikërisht kjo e drejtë u cenohet disa personave të izoluar në karantinën shtetërore në Strugë, të cilëve u është kërkuar të mbushin disa formularë dhe deklarata në gjuhën maqedonase për organizimin e transportit ajror nga Vjena.
“Personat në fjalë me të drejtë thirren në ligjin për përdorimin e gjuhëve duke kërkuar që formularët t’i pranojnë në gjuhën shqipe me qëllim që të jenë të vetdijshëm për atë se çfarë nënshkruajnë. Ata gjithashtu kërkojnë kushte më të mira dhe sjellje më njerëzore nga stafi policor. Kjo për shkak se personat e izoluar ndaj kërkesës së tyre për formularë në gjuhën shqipe kanë marrë përgjigjen : “Le t’ju ndihmojë Ziadin Sela tani”! Kjo që po ndodh në këtë karantinë paraqet shkelje të ligjit nga vet shteti, shkelje të së drejtës për informim në gjuhën amë si dhe keqtrajtim të personave të izoluar!”, thekson ASH.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga organet kompetente urgjentisht të reagojnë dhe të plotësojnë detyrimet që kanë kundrejt çdo qytetari pa dallim! Gjithashtu sektori për kontroll të brendshëm të kërkojë përgjegjësi për sjelljet e policëve që nuk respektojnë qytetarët. “Qeveria duhet të dijë obligimet e saja dhe të tregohet e përgjegjshme në përmbushjen e tyre. Qytetarët e izoluar në cilën do qoftë karantinë nuk duhet të ndjehen të kërcënuar dhe të pasigurt për shëndetin e tyre.”, thekson kjo parti.