ASH-AAA pranojnë ftesën e Ahmetit për një takim mes partive shqiptare

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe ai i Alternativës Afrim Gashi i janë përgjigjur zyrtarisht kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti lidhur me ftesën për një takim mes partive parlamentare shqiptare. Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela nëpërmjet një statusi në fejsbuk ka deklaruar se ata parimisht janë dakord për një takim të tillë por kërkojnë që takimi të mbahet pas ditës së hënë 17 gushtit në mënyrë që të informohen me detajisht dhe të organizohen.

Pas ftesës së pranuar për një takim të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, dëshirojmë t’ju përgjigjemi se Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa parimisht është dakord për një takim të tillë.
Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe si i tillë mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në funksion të një takimi përmbajtsor dhe të frytshëm do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi më të qartë arsyen e organizimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare.
Në këtë drejtim, konsiderojeni mundësinë e një date tjetër duke nisur nga e hëna (17.08.2020) e tutje, sigurisht duke na njoftuar disa ditë më herët me rendin e ditës së takimit- shkruan Ziadin Sela në fejsbuk.