ASH-AAA paralajmërojnë bojkot të Kuvendit, Zaev dhe Ahmeti: Bojkoti nuk është zgjidhje, opozita duhet të jetë aktive

Koalicioni “Tash është koha” ka futur në lojë mundësinë e bojkotimit të punës së Kuvendit nga 12 deputetët e koalicionit.
Idenë për bojkot e shfaqi sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Skender Rexhepi – Zejdi i cili tha se nuk do të bëhet pjesë e mashtrimit nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ku në vend të “kryeministrit shqiptar, vijë e kuqe doli që e kanë mbrojtjen e interesave personale”.

“Nëse brenda ditëve në vijim, gjërat nuk ndryshojnë në favor të shqiptarëve, unë do t’i propozoj kryesive dhe kryetarëve të koalicionit “Tash është koha” që të bojkotohet puna e kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me këtë t’u bëhet në dijeni të gjithëve brenda dhe jashtë shtetit se nuk mund të luhet me dinjitetin politik shqiptare”, tha Skender Rexhepi nga Alternativa.

Idenë e Zejdit e mbështesin edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Sekretari i përgjithshëm, Arben Taravari tha se ideja do të shqyrtohet nga kryesia e partisë ditëve në vijim.
“Në ditët në vijim, kryesitë e dy partive të koalicionit do të ulen së bashku dhe do të sjellin vendim për aktivitetet e mëtutjeshme. Ideja e Zejdit, gjithsesi se është një prej opsioneve të mundshme dhe shumë logjike”, tha Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Për mundësinë e bojkotit komentuan edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe lideri i Lidhjes Socialdemorkate të Maqedonisë, Zoran Zaev. Që të dy thanë se bojkotimi i punës së Kuvendit nuk është vlerë demokratike.
“Në demokraci mund të debatosh, në demokraci mund të mos pajtohesh, por nuk është demokraci të sabotosh apo të bojkotosh. Nuk është zgjidhje në demokraci bojkoti”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

“Pajtohem se bojkoti nuk është zgjidhje. Duhet me dialog të gjendet zgjidhjet. Opozita ka rol të rëndësishëm në demokraci dhe ajo rolin e saj do ta përmbush nëse është aktive në institucionet, në proceset gjithandej dhe besoj se bojkoti nuk është zgjidhje”, potencoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Përndryshe, “Tash është koha” në zgjedhjet e 15 korrikut ka siguruar 12 deputetë. Në disa paraqitje, si pjesëtarë të Aleancës për Shqiptarët dhe të Alternativës kanë deklaruar se do të mbështesin votimin e “kryeministrit shqiptar”, ide kjo e propozuar nga BDI, por nëse ai kishte mandat 4-vjeçar.