ASH-AAA: MEPSO dhe ELEM të heqin dorë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike

Koalicioni Ash-AAA ka reaguar në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Sipas tyre qeveria po e vështirëson më shumë situatën në të cilën ndodhen qytetarët për shkak të pandemisë.
“Fatkeqësisht edhe në kohë pandemie qeveria nëpërmjet enteve rregullatore është vendosur në mbrojtje të monopoleve dhe oligopoleve duke e renduar edhe më tej situatën e qytetarëve! Është më se irritues fakti se shteti ynë këmbë kryq po vazhdon të luajë me fatin e qytetarëve të vet!

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për 7.4 % është rritje drastike që nuk do të ishte arsyetuar as në kohë normale, e aq më pak mund të arsyetohet në kohë krize kur qytetarët i kanë të ardhurat e zvogëluara.
Në vend se të ndihmohen qytetarët po ballafaqohen gjithnjë e më shumë me shpenzime shtesë.
Arsyetimi se kjo rritje bëhet për shkak të të ardhurave të zvogëluara në këtë sektor është skandaloz, pasi që qytetarët kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë faturat e rrymës elektrike edhe në kohë krize pa asnjë dallim.
Të revoltuar si çdo qytetar i vendit tonë, koalicioni ASh-AAA kërkon tërheqje të menjëhershme të vendimit të Komisionit Rregullator! Shteti ka për obligim t’u del në ndihmë qytetarëve në vend se t’i ngarkojë ata me rritje çmimesh të pa baza.

Si shtet që aspiron Bashkimin Evropian kemi obligim të sillemi në frymë evropiane dhe t’u përshtatemi praktikave evropiane që qytetarin gjithmonë e kanë në rend të parë!
Në këtë drejtim koalicioni ASh-AAA kërkon që çmimi i energjisë elektrike të zvogëlohet për 20% minimumi me qëllim që qytetarët të kenë lehtësi deri në tejkalimin e pandemisë, ndërkaq të rishikohet edhe tarifa industriale për bizneset. Ne si koalicion jemi të gatshëm që me çdo kusht t’u dalim në krah qytetarëve duke i mbështetur plotësisht në kërkesat e tyre.” – thonë nga ky koalicion.