ASH-AAA dogji faqen e librit të sociologjisë! Zv/ministri Shabani zotohet se do të shqyrtohet

“Kjo është faqe fashiste dhe meriton të digjet…”
Griset dhe i vihet flaka faqes së librit të sociologjisë ku shkruhet se tek shqiptarët, turqit e romët nataliteti është i lartë për shkak të lindjeve të pakontrolluara për shkak të mungesës së arsimimit.
Këtë e bënë të rinjtë e koalicionit Aleanca-Alternativa, përballë Ministrisë së Arsimit. Shkrimet në libër, sipas Omer Ajdinit, janë johumane sepse në mënyrë jo të shfrenuar shumohen vetëm kafshët, por jo njerëzit.

“Ky libër në të njëjtën faqe po ashtu thotë se për këtë natalitet të lartë tek shqiptarët, duhet të gjenden mekanizma përmes së cilëve ky natalitet kontrollohet dhe reduktohet. Ndërsa në anën tjetër thotë që tek pala maqedonase, e cila ka natalitet të ulët, nataliteti duhet po ashtu të stimulohet sepse përndryshe, sipas librit, në Maqedoninë e veriut do të ketë probleme sociale, ekonomike dhe politike gjë që është raciste dhe johumane karshi komuniteteve siç janë shqiptarët, romët, turqit”, tha Omer Ajdini – FR-ASH-AAA.

Rinia e koalicionit opozitar shqiptar, Ministres së Arsimit Milla Carovska i lanë një kërkesë që urgjentisht ta tërheqë librin.
Zëvendësi i saj, Arafat Shabani, shprehet se libri do të shqyrtohet, edhe pse siç shton, me ligj për ta tërhequr duhet që minimum libri të ketë 30% fakte të deformuara.

“Konform ligjit duhet të ketë minimum 30% jo të vërteta ose fyerje të popullit, nacionaliteteve të tjera, që është kundër bashkëjetesës. Edhe ky libër do të shqyrtohet por nuk do të thotë se është e fundit, jo rastësisht del çdo muaj nga një libër, po parashtrohet pyetja ku kanë qenë deri tash 20 vitet e fundit se janë libra që para 20 vitesh janë botuar dhe janë ribotuar?!”, deklaroi Arafat Shabani – zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.
Edhe nga forumi rinor i Aleancës-Alternativës po ashtu theksuan se nga viti 2002 kur për herë të parë u botua libri, e deri në 2020 kur sërish ju dha leje, kanë kaluan minimum 4 ministra shqiptarë.

Shabani thotë se përgjegjësi fillimisht duhet të mbajnë grupet recensuese që e kanë lejuar që kanë firmosur që libri të futet në përdorim, e më pas përgjegjësi duhet të marrin organet shtetërore. Zgjidhja më e mirë sipas tij janë reformat sistemore në arsimin fillor dhe të mesëm, ku do të liberalizohej edhe tregu duke lejuar të konkurrojnë që më shumë libra.
Kohë më parë Ministria e Arsimit tërhoqi librin e gjeografisë për vitin e dytë të gjimnazeve, ku shkruhej se shqiptarët janë ardhacakë në Maqedoninë e Veriut.