Aselborn: Negociatat mes RMV-së e BE-së të fillojnë deri në qershor!

Kryediplomati i Luksemburgut, Zhan Aselborn është i prerë se duhet gjendur zgjidhje për zhbllokimin e negociatave për anëtarësim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

“BE-ja do të bëjë një gabim shumë të madh nëse nuk e gjejmë së shpejti, në pranverë zgjidhjen për t’i filluar negociatat dhe mendoj se momenti i fundit do të ishte qershori i këtij viti. Nuk ka vend në Evropë, në BE që ka bërë aq shumë përpjekje. Njerëzit e kanë kuptuar se duhet t’i bënin këto përpjekje që ta kenë shansin për t’u bërë anëtare e BE-së dhe tani është radha jonë”, u shpreh Aselborn, pas takimit me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.

Osmani nga ana tjetër theksoi se vendi po i vazhdon reformat edhe përskaj dëshpërimit për mos-fillimin e negociatave për anëtarësim vitin e kaluar./Alsat