Asani: Kryetari i Shkupit po mbulon gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, prof.dr. Skender Asani reagoi sot ndaj kryetarit të Qytetit të Shkupit, duke shtuar se ai qëllimisht po mbulon gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës në sheshin e kryeqytetit.

Ja reagimi i plotë i shprehur sot nëpërmjet një konference me gazetarët:

Ne sot jemi përsëri këtu, pasi që dje e dëgjuam përgjigjen e kryetarit të Qytetit të Shkupit, z. Petre Shilegov.

Ndonëse na duket pa vend argumentimi se a kemi reaguar apo jo në të kaluarën kur vendi i shtëpisë së Nënës Terezë kishte kaluar në pronësi private, dëshirojmë ta informojmë Kryetarin Shilegov se ne edhe atëherë kemi reaguar, porse për ne është e habitshme që reagimi ose mosreagimi të jetë arsye për të bërë gabime sot. Pos kësaj, mendoj se është e njohur tashmë se ne nuk kemi asnjë pushtet ekzekutiv që ta detyrojmë Qytetin ose ndonjë pushtet tjetër shtetëror që të veprojë ndryshe.

Ne jemi institucion shkencor dhe kulturor dhe detyra jonë është ta themi fjalën tonë specialistike përkitazi me këto figura të rëndësishme të historisë që dalin përtej kufijve tanë etnikë, urbanë e shtetërorë.
Prandaj, duke u nisur nga kjo, për neve nuk janë kontestuese faktet që i shpalosi Kryetari Shilegov, por është me rëndësi perceptimi që ka pushteti ndaj figurës së Nënës Terezë.

Nëse nobelistja e vetme nga Shkupi, Nëna Terezë, nuk është një figurë me përmasa botërore që e nderon më shumë se askush tjetër Qytetin tonë dhe gjithë shtetin dhe një figurë që e kthen vëmendjen e gjithë botës drejt nesh, atëherë ne kemi problem serioz me atë se cili është standardi i vlerësimit të figurave të këtilla. Derisa bota mundohet të prodhojë figura të këtij profili edhe aty ku nuk ka realisht, ndërsa ne duke e pasur një figurë të tillë ta nëpërkëmbim duke ia zhdukur gjurmët e pranisë së saj në Kryeqytet, kjo më shumë flet keq për ne sesa për atë.

Prandaj, unë jam sot këtu që ta lus Kryetarin Shilegov të gjejë një zgjidhje, qoftë duke e kthyer atë në pronë publike, qoftë duke ndjekur procedurë gjyqësore ose duke gjetur mundësi të tjera çfarëdo qofshin ato, pos kësaj gjendje të turpshme që e shohim sot këtu.

Kërkesat tona janë modeste: të rikthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së Nënës Terezë, të krijohet një shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore dhe teksti i pllakës ta reflektojë identitetin dygjuhësh të Kryeqytetit, të sanksionuar edhe me ligj.

Ajo që është për keqardhje është se Kryetari Shilegov lejon që “qytetarë të ndërgjegjshëm në mënyrë vullnetare të mund t’i mbulojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë”, ndërsa Qyteti i Shkupit, si bashkësia më e madhe e vetëqeverisjes vendore me pushtet ekzekutiv, nuk paska mundësi të bëjë asgjë për ta rikthyer në gjendjen paraprake një pikë të rëndësishme pelegrinazhi dhe turizmi në Kryeqytet, e cila – pos tjerash – flet për gjurmët e bamirësisë që kanë buruar nga ky vend dhe janë shpërndarë në gjithë botën.
Sidoqoftë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Nënës Terezë, nuk do të ndalet këtu.

Duke pritur mbështetje edhe nga opinioni më i gjerë, ne prej sot do të fillojmë të kërkojmë përkrahje edhe nga faktorë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa do t’i drejtohemi me letër edhe kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut, që edhe ai të ndihmojë në mënyrën e tij për t’i ndërgjegjësuar autoritetet tona për rëndësinë e prezantimit të personalitetit të Nënës Terezë.(INA)

Shkup, 14.05.2020​​​​​​Dr. Skender Asani, drejtor