As PDK e as VV në Shtëpinë e Bardhë: Hoti me partnerët e koalicionit para palës serbe


PDK dhe VV refuzuan ftesën e Kryeministrit Avdullah Hoti për takimin e 4 shtatorit në Washtington me palën serbe. Vetëvendosje e quajti qeveri jo legjitime dhe absurde këtë ftesë, derisa as nga PDK nuk pranuan një gjë të tillë, megjithatë Hoti në Shtëpinë e Bardhë do të shkojë vetë i teti, me dy Zëvendëskryeministra, tre ministra, Koordinatorin e Dialogut Skender Hysenin dhe shefen e Kabinetit të Kryeministrit, Ardita Dushi.

Kryeministri Hoti u kishte kërkuar partive opozitare nga një përfaqësues në dialogun me Serbinë, por ata e refuzuan.
Zëdhënësi i VV’së, Përprarim Kryeziu ka thënë se partia e tij nuk e pranon një qeveri jo legjitime si kjo e Avdullah Hotit, andaj edhe e refuzon pjesëmarrjen në dialog.

Pasi Kryeministri Hoti u ka kërkuar partive opozitare nga një përfaqësues në dialogun me Serbinë, Kryeziu në emër të Vetëvendosjes ka thënë se pozicioni i tyre në këtë çështje është i qartë, teksa ka thënë se “Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë”.

Në anën tjetër edhe PDK’ja kishte refuzuar këtë frtesë. Lideri i kësaj partie, Kadri Veseli, kishte thënë se do ta ushtrojnë rolin kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Veseli.

Kujtojmë, që takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Washington, do të mbahet me 4 shtator.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ndërkaq, 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator.