As pas 6 muajve nuk filloj ndërtimi, Ali Ahmeti hudhi gurthemelin por ndërtimi ngeli në harresë!

Para gjashtë muajve në fshatin Dollogozhdë të Strugës, në prezencën e zyrtarëve të lartë të BDI-së u hodh gur-themeli për ndërtimin e sallës sportive. Megjithatë, deri më sot nuk është bërë asgjë më shumë që nga kjo ceremoni. Ndërtimi i sallës sportive në Dollogozhdë është premtim elektoral i kryetarit aktual të Komunës së Strugës dhe nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se për këtë premtim, punët janë në vijim, shkruan Portalb.mk.

Një ndër premtimet parazgjedhore të kreut aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në kategorinë e investimeve të parapara nëpër fshatra ishe ndërtimi i sallës sportive në fshatin Dollogozhdë. Këtë projekt të rëndësishëm për 1,714 banorët e këtij fshati, kandidati fitues në zgjedhjet lokale të vitit 2021 e prezantoi përmes programit zgjedhor “Agjenda e Blertë”(faqe 64), pa caktuar një afat përfundimi.

Nga vëzhgimi në terren vërejtëm se pas pas 6 muaj nga hedhja e gur-themelit nuk është bërë asnjë hap tjetër në realizimin e këtij projekti. Redaksia jonë dërgoi kërkesë për informacion deri tek Komuna e Strugës për të na informuar se sa buxhet është ndarë për këtë projekt, cilat janë fazat e ndërtimit dhe kur planifikohet të përfundohet projekti në fjalë. Nga zyra e PR në këtë komunë na thanë se kërkesa jonë është përcjell në sektorin përkatës megjithatë edhe nga data 13 prill kur dërguam kërkesën deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Komuna e Strugës.

Nga partia më e madhe opozitare në Strugë, Aleanca për Shqiptarët, thonë se përveç ceremonisë së gur-themelit nuk është bërë asgjë më shumë në vazhdimin e punëve për ndërtimin e sallës sportive në Dollogozhdë.

“Për Dollogozhdën nga 4 projekte të premtuara, në prezencë të krerëve më të lartë politik të BDI –së, është nisur vetëm salla e sportit në kuadër të Shkollës fillore. Si duket në ceremoni panë se numri i nxënësve është i vogël, janë hapur vetëm themelet, i kanë stopuar komplet punimet dhe vendi është shndërruar nga kantier ndërtimi në germadhë”, deklaroi kryetari i degës së AH-së në Strugë, Lulzim Nasufi.

Kantier ndërtimi- salla sportive në F. Dollogozhdë/ Fotografi nga ASH-Strugë Kantier ndërtimi- salla sportive në F. Dollogozhdë/ Fotografi nga ASH-Strugë
“Shqetësuese është fakti i jo transparencës së harxhimit të pareve nga Buxheti Komunës, ashtu që paret paguhen kurse në teren nuk ka asnjë vepër”, u shpreh kryetari i degës së AH-së në Strugë, Lulzim Nasufi.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren për ndërtimin e sallës sportive në fshatin Dollogozhdë, Portalb.mk konkludon se ky premtim i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, është në fazën fillestare të realizimit.