Artisti i ri nga Maqedonia e Veriut hapi derën e “botës 3D” me akademinë që themeloi

Veçantia e teknologjisë tredimensionale (3D) qëndron në aftësinë për të realizuar çdo ide deri në detajin më të vogël, si dhe në hapësirën për të manipuluar ngjyrat, teksturat dhe madhësinë, që i lejon njeriut të hyjë në botën vizuale, ku ai krijon vetë.

Në vitin 2016, dyert e botës 3D në Maqedoninë e Veriut i hapi në atë kohë 21-vjeçari Stefan Mitrov, i cili vendosi të ndajë njohuritë e tij me të tjerët, duke krijuar kështu M3DS, Akademinë e Arteve Pamore, qëllimi i së cilës përveç edukimi i të rinjve për 3D, është edhe krijimi i video-lojërave dhe filmave.

Mitrov (27) është personi emri i të cilit në vitin 2019 u gjet në “Times Square” në New York në mesin e 100 artistëve më të mirë në kategorinë 3D në botë, ndërsa në një bisedë për Anadolu Agency (AA) tregon për Akademinë, trajnimet që i ofron në sferën 3D, printimin 3D dhe krijimin e video-lojërave dhe filmave.

Çfarë është 3D?

Mitrov thotë se që nga vitet 1970 me Star Wars, seriali i filmave fantastiko-shkencor, efektet vizuale janë bërë të njohura dhe teknologjia 3D është bërë gjithnjë e më e përdorur.

“Manipulohet me një imazh të thjeshtë 2D, që do të thotë se një imazh i kapur vendoset mbi një imazh tjetër. Siç ka përparuar teknologjia, ne kemi qenë në gjendje të shtojmë ato objekte që më parë i ngjitnim dhe tani po i bëjmë ato në softuer 3D”, shpjegon Mitrov.

Mitrov tregon për procesin 3D, se si produkti është montuar hap pas hapi dhe përpjekjen për ta bërë realizimin më real të idesë.

“Nxënësi fillon gjithmonë me modelimin, është formimi i modeleve, se si do të dukeshin, më pas punohet në atë për të parë ngjyrën e personazhit, përpunohen teknikisht teksturat dhe vizatohen me dorë, kockat vendosen aty ku do të lëvizin personazhet. Pastaj personazhi animohet dhe kjo është një nga detyrat më të vështira në këtë industri”, shpjegon Mitrov.

Si krijohet një video-lojë?

Akademia e krijuar nga Stefani shpejt fillon të ketë sukses, interesi për botën 3D fillon të rritet dhe shumë të rinj e gjejnë veten në të. Njëri prej tyre është 20-vjeçari Simon Zafirovski, i cili ka mbaruar Akademinë, kështu që ka vazhduar të punojë si një nga instruktorët dhe tregon se si krijohet një video-lojë.

“Pasi e dimë se si do të duket i gjithë personazhi, atëherë ai hyn në procesin e përgatitjes për lojën, domethënë personazhi duhet të jetë i gjallë, duhet të futen kockat në mënyrë që ai të lëvizë në lojë”, tha Zafirovski.

Pasi të përfundojë ky proces, personazhi transferohet në lojë, në një skenë të përgatitur paraprakisht.

“Krejtësisht e ndarë nga personazhi, përpunohet edhe skena. Aty u kushtohet vëmendje detajeve, por është shumë më e rëndësishme që të arrijmë deri te e gjithë skena në vëllim, të marrë një hapësirë ​​të këndshme në detaje që personazhi të mos duket sikur nuk përket aty”, tha ai.

Përveç video-lojërave, çfarë përgatit Akademia?

Megjithëse teknologjia 3D shpesh ndërlidhet me prodhimin e video-lojërave dhe filmave, ka pasur përparim dhe aplikim të madh të printimit 3D nga shumë kompani për prodhimin e kallëpeve dhe pjesëve të makinerive me saktësi shumë më të madhe.

“Kallëpet për makineritë që dikur ishin prej druri dhe metali, sot fillojnë të bëhen me printim 3D dhe janë me kualitet shumë më të mirë. Inxhinierët e kuptuan se printimi 3D ishte një zbulim i madh për industrinë e tyre, kështu që ne u përfshimë në industri”, tha Mitrov.

Printimi 3D përdoret edhe në mjekësi, ndërsa në botë ka shembuj të shtëpive të printuara 3D dhe e gjithë kjo për shkak të teknologjisë së avancuar, por edhe shpejtësisë dhe qëndrueshmërisë së materialit të përdorur, i cili nuk ndot mjedisin.

“Për momentin ne sapo kemi filluar të krijojmë kallëpe dhëmbësh duke lidhur ura dhe duke bërë dhëmbë të saktë për pacientët dhe më duhet të them se jam shumë i kënaqur që jemi ne ata që mund ta bëjmë atë hap në një nivel më të lartë dhe më cilësor në vend”, tha Mitrov.

Qëllimi i M3DS është të jetë një kompani me përgjegjësi shoqërore, kështu që Akademia dhuron printerë 3D për shkollat ​​e mesme, si dhe organizon punëtori falas me pjesëmarrje nga i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që t’u zgjasë dorën të rinjve që duan të hyjnë në botën 3D dhe të prodhojë staf të ri, krijues dhe të specializuar në këtë fushë.

EDITA ZEKJIROVIKJ – ANADOLY AGENCY