Artan Grubi mirëpriti në takim ambasadorin e ri britanik, Matthew Lawson

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe Ministër për Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi, sot ka pritur në takim Matthew Lawson, ambasador i ri i Britanisë së Madhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fillimisht, Grubi i dëshiroi punë të suksesshme në mandatin e ri si dhe shprehu ngushëllimet e tij me rastin e vdekjes së mbretëreshës Elizabeta e II-ë. Në takim u konfirmua miqësia mes dy vendeve si dhe vazhdimësia e bashkëpunimit në sferën ekonomike, në mbrojtje si vende partnere të NATO-s, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe në proceset reformuese.

Ambasadori Lawson uroi Grubin për ecurinë e procesit integrues të vendit dhe fillimin e negociatave me BE-në, duke theksuar se do të vazhdojë mbështetja nga Mbretëria e Bashkuar për realizimin e synimeve strategjike siç është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian.

Në takimin me ambasadorin Lawson u konstatua se politikat e fqinjësisë së mirë japin rezultate dhe hapin perspektiva të reja jo vetëm për vendin por edhe për mbarë rajonin dhe se Qeveria është e fokusuar në sigurimin e një jete më të mirë për qytetarët përmes zbatimit të vlerave europiane.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, u tha se të gjitha subjektet politike në vend duhet të tejkalojnë interesat partiake për të realizuar plotësisht qëllimin strategjik – anëtarësimin e plotë në BE, që është e vetmja rrugë e drejtë nga e cila nuk ka kthim prapa. Gjithashtu, u bisedua edhe për sfidat në fushën e energjisë dhe për çështje të tjera aktuale nga rajoni e bota të shkaktuara nga Pandemia dhe lufta në Ukrainë.