Arsyetohet biznesmeni boshnjak Koçan: Nuk i kam kontrolluar dokumentet që kam nënshkruar


Përfundoi procesi gjyqësor për rastin e PSP-së “Trust”, pasi që sot u thanë edhe fjalët përfundimtare,ndërsa vendimi do të bëhet i ditur ditën e premte. Me këtë rast tre të akuzuarit Sead Koçan, Vasilije Aviroviq dhe Safet Vatiq, u deklaruan se nuk ndjehen fajtor. I akuzuari i parë, afaristi Sead Koçan u shpreh se nuk ka pasur asnjë qëllim që të shkel ligjet, ndërsa gabimi i tij i vetëm, siç u shpreh ai, është se nuk i ka kontrolluar dokumentet që i ka nënshkruar edhe pse kjo ka qenë detyrë e tij, duke qenë menxher i kompanisë.

Sead Koçan, i akuzuar

“Krahas të fortit digjet edhe i drejti. Qëllimi im i vetëm ka qenë konkurrenca në treg, që të sigurohet punë për të punësuarit dhe familjet e tyre. Ajo që nuk i kam kontrolluar dokumentet e nënshkruara, është si pasojë e asaj se unë i kam besuar ekipit tim”.

I akuzuari tjetër Vasilije Aviroviq në fjalët përfundimtare deklaroi se procesi gjyqësor i ngritur kundër tij i ka rrezikuar gjendjen shëndetësore. Kurse Safet Vatiq u shpreh se pret që gjykata të sjellë vendim për lirimin e tyre. Vendim për lirimin e të akuzuarve pret edhe avokati mbrojtës, Jovan Joanidis.

Jovan Joanidis, avokat

“Para se gjithash, dua të them që gjykata në mënyrë korrekte e ka udhëhequr gjithë procesin gjyqësor dhe pres që të sillet vendim për lirim për të gjithë, për shkak se nuk ka elemente për vepër penale, në këtë lëndë”.

Shqiptimi i fjalëve përfundimtare për lëndën “Trust” filloi dje, ku zgjati rreth gjashtë orë, për të vazhtuar edhe sot. Për këtë vepër penale sipas Kodit ligjor, është paraparë dënim prej së paku 5 vite burg.

Sipas akuzës së Prokurorisë Speciale, Sead Koçan me firmat “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” kanë formuar konsorcium i cili me dokumente të falsifikuara për kuadrin dhe specifikat e punës, me të cilin ka fituar tender prej 17 milionë eurosh nga Elektranat e Maqedonisë. /Shenja.tv