Arsyetimi qesharak për shtatoren e Skenderbeut: U paraqit në moshë të re, është versioni origjinal i tij

Shtatoret e dy heronjve kombëtar Adem Jasharit dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut të vendosura më 28 nëntor në Prizren kanë shkaktuar debate të shumta, dhe janë kritikuar shumë për shkak të shëmtisë së tyre. Ndërsa, i pari i Prizrenit, Mytaher Haskakua ka habitur duke thënë se shtatorja e Skënderbeut është versioni origjinal i tij.
Përdoruesit e rrjeteve sociale por edhe kritikë arti, i kanë cilësuar ato me standarde tepër të ulëta, duke shtuar se është tjetërsuar figura origjinale e tyre. Në lidhje me këto dinamika, reagoi edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ai tha se nuk mban përgjegjësi për statujën e Adem Jasharit, pasi ajo është vendosur në një biznes privat, ndërsa për statujën e Skënderbeut, ai tha se është vendosur nga një donacion i diasporës.
Haskuka theksoi se krijuesi i shtatores së Skënderbeut, i ka transmetuar se Skënderbeu është paraqitur në një moshë të re dhe jo në moshë pak më të thyer siç jemi mësuar ta shohim.

Sipas Haskukës monumenti i realizuar është ai origjinali dhe jo kopje.
“(Shtatorja e Adem Jasharit) është vendosur nga një biznes privat dhe ne nuk kemi pasur dijeni’, tha Haskuk.
“Për Skënderbeun Komuna e Prizrenit ka kaluar një kërkesë të një fushate nga diaspora, ne kemi siguruar vendin, piedestalin dhe maketën. Adem Jasharin nuk e kam parë dhe nuk kam pasur dijeni. Skënderbeu është një punim origjinal, ndryshe, nga autorët dhe shoqata jam informuar se është një version i versionit të ri, e jo siç e kemi parë tek të tjerët që është i moshuar”, thotë Haskuka.

“Tek monumenti që kam parë në rrjete sociale për Adem Jasharin ka probleme në proporcione, por prapë se prapë janë shprehje artistike që ata mund të shprehen. Në aspektin e artit dhe të shtatoreve nuk kam dijeni”, shprehet Haskuka.
“Ajo e Skënderbeut është origjinale dhe jo kopje. Njëtrajtësimi dhe shprehja e vetëm një figure e Skënderbeut nuk është diçka që të gjithë duhet të bëjnë. Ka interpretime të ndryshme për Skënderbeun. Nuk pajtohem, sepse skulptura në fjalë nuk është në atë nivel, por unë kam parë në media sociale që janë disa deformime, nëpërmjet programeve kompjuterike. Unë kam parë fotografi të tilla që qarkullojnë në rrjete. Këto janë për të krijuar debat. Edhe unë kam mendime kritike por në përgjithësi nuk është ashtu siç është paraqitur në media. Është shprehja e artistit dhe ne jemi falënderues për atë që kanë bërë”, tha Haskuka.