Arsovska: “Problemi me ngrohjen qendrore përgjegjësi e Qeverisë” (VIDEO)


Përgjegjësia për ngrohjen qendrore të qytetarëve të Shkupit nuk është në kompetencë të Qytetit të Shkupit, por të Qeverisë. Subvencione apo masa të tilla as nuk janë planifikuar në buxhetin e qytetit dhe as që do të planifikohen, thotë kryetarja Danella Arsovska.

Sipas saj, Qeveria përveç ngrohjes duhet t’i ndihmojë komunat që të mund të paguajnë edhe faturat e energjisë elektrike, të cilat janë pesëfishuar.
“BEG ka marrë koncesion nga Qeveria, jo nga Qyteti dhe sigurisht që është obligim dhe përgjegjësi e Qeverisë. Në të njëjtën kohë, është vonë me masat për zbutjen e efekteve të krizës …”, deklaroi Danela Arsovska – kryetare e BNJVL-së.

Sipas kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, problemi me ngrohjen në komunën e tij nuk është për shkak të borxhit që ka ndaj Ngrohtores -Veri, por vetë kompania është në humbje. Faturat e larta të energjisë elektrike po bëhen tashmë problem i madh për Çairin.

“Sa për krahasim, me muajin e kaluar të vitit të kaluar dhe këtë muaj, faturën e fundit të vitit të kaluar, për ndriçimin rrugor kemi paguar përafërsisht 500 mijë denarë rrymë dhe këtë muaj është një milion e katërqind mijë denarë”, tha Visar Ganiu – Nënkryetar i BNJVL-së.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi me status në rrjetet sociale ka ripërsëritur qëndrimin se jo Qeveria, por komunat duhet të krijojnë masa për qytetarët.

“BEG ka obligim ligjor që të sigurojë ngrohje qendrore, në të kundërtën mund të mbetet pa licencë, Qyteti i Shkupit dhe komunat të krijojnë masa për përkrahjen e qytetarëve!”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Më herët, mandatari Dimitar Kovaçevski kërkoi ndihmë nga Qyteti i Shkupit dhe komunat. Askush deri më tani nuk ka dalë me masa konkrete për të zbutur kostot e krizës energjetike.