Lehona 27 vjeçare nga Kumanova është viktima më re nga CoVid-19. Ajo ishte e shtruar në Spitalin Infektiv në Shkup. Më 30 mars e njëjta ka pasur lindje të parakohshme në repartin e gjinekologjisë, ndërsa një ditë më pas është shtruar në Klinikën Infektive.
Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë edhe 3 viktima të tjera dhe 18 të infektuar janë regjistruar 24 orët e fundit. Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarve shkon në 617 ndërsa numri i viktimave në 30. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se rezultatet e 24 orëve të fundit janë bazuar në 351 teste të bëra. Numri më i madh i të infektuarve vazhdon të jetë në Shkup, ndërsa në Kumanovë regjistrohet numri më i madh i viktimave. Sot filloi zbatimi i orës policore në nivel shtetëror nga ora 16:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Rrugët e kryeqytetit u zbrazën për pak minuta, ndërsa gjatë ditës u zbatua masa shtrënguese për të moshuarit dhe personat nën 18 vjet. Me vendimin e fundit të Qeverisë, në vikend ora policore do të zbatohet 24 orë, duke filluar nga ora 16 të premten deri të hënën në orën 5 të mëngjesit. Masa shtrënguese për orë policore nga ora 16 erdhi pas zbatimit të saj në Kumanovë javën e kaluar. Me qëllim parandalimin efikas të përhapjes së virusit Korona, Qeveria ka kufizuar edhe lëvizjen e më shumë se dy peronave në vendet dhe hapësirat publike.
Gjatë 24 orëve të fundit 67 qytetarë janë futur në izolim, ndërsa 84 në vetëizolim. 345 qytetarë janë futur në karantinë, ndërsa nga karantina kanë dalë rreth 260 të tjerë. Orën policore e kanë shkelur 35 persona.