Arrijnë 6 autoblindat e parë për 30-vjetorin e Ushtrisë, thirrje publike për 200 ushtarë profesionistë


Paga e ushtarëve profesionistë arrin 40.000 denarë, bashkë me shtesat. E sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionistë, pritet edhe një rritje prej 10%. Ky profesion kohëve të fundit po bëhet tërheqës për të rinjtë. Këtë e dëshmon edhe interesimi i lartë, nëse më herët për shpalljen publike aplikonin rreth 50, tani janë 900 të interesuar.

“Deri në fund të vitit jemi në proces miratimi të një ligji të ri për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, me të cilin duam t’i afrojmë ata me kushtet, të drejtat dhe detyrimet që kanë pjesëtarët e ushtrisë. Sa i përket statusit të pjesëtarëve të ushtrisë se a jemi të kënaqur, do të përgjigjesha pa hezitim se po, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi me kaq”, pohoi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Nën moton “30 vjet siguri, stabilitet dhe besim” të mërkurën do të ketë festë në kazermën “Ilinden”. Në stadiumin ushtarak nga ora 18:30 qytetarët do të mund të njihen me pajisjet ushtarake dhe të shoqërohen me specialistë ushtarakë.

“Të mërkurën në stadiumin ushtarak do të ekspozohen gjashtë mjetet e para të blinduara të prodhimit amerikan, të cilat kanë mbërritur së fundmi dhe që ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Deri në fund të vitit do të ketë dërgesë të re prej 27 automjetesh dhe do të pasojnë dërgesat e tjera sipas kontratës. Vazhdojmë me prokurimin e sistemeve të tjera që na nevojiten, blerjen e mjeteve speciale, sistemeve të artilerisë dhe municioneve, sistemit të mbrojtjes kundërajrore, si dhe po fillojmë me rikonstruksionin e komponentit të aviacionit”, tha Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Petrovska paralajmëron marrëveshje të re kolektive e cila do ta ngrejë statusin e pjesëtarëve të ARM-së në nivel më të lartë, sepse siç thonë, ata janë shtylla kurrizore e shtetit. Në shtator do të bëhet një thirrje publike për 200 ushtarë profesionistë dhe nënoficer.