Dy persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë u lënduan si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mbrëmë në Tunelin e Kalimashit. Dy vëllezërit, Sadik dhe Nesret Osmani, që vdiqën tragjikisht, janë nga komuna e Gjilanit, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërkohë Policia shqiptare ka arrestuar shoferin që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
“Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur automjetin tip “Ford” dhe autobotin tip “MAN””, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njoftimi i policisë:
DVP Kukës
Specialistët e Njësisë për Sigurisë Rrugore të Autostradës “Tuneli i Kalimashit-Morinë”, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për aksidentin e ndodhur pasditën e djeshme, në tunelin e Kalimashit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur automjetin tip “Ford” dhe autobotin tip “MAN”.
Nga ky aksident humbën jetën drejtuesi i automjetit tip “Ford”, dhe pasagjeri në këtë automjet, të dy banues në Kosovë. Gjithashtu, nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, pasagjerja në këtë automjet dhe pasagjeri tjetër në automjetin tip “Ford”.