Arrestohet një 15-vjeçar në lidhje me sulmin në Gjermani ku humbën jetën tre persona

Një djalë 15-vjeçar është arrestuar për sulmin në të cilin humbën jetën tre persona dhe tetë të tjerë u plagosën rëndë. Sulmi ndodhi në qytetin gjerman Solingen, dje rreth orës 21:45.

“Policia gjermane njoftoi se në lidhje me këtë rast është arrestuar një 15-vjeçar,” raporton BBC.

Shefat e policisë kanë deklaruar se nuk mund të japin asnjë informacion tjetër lidhur me hetimin derisa ai është ende në zhvillim. Pavarësisht kërkesave të gazetarëve, policia ka refuzuar të japë informacione të mëtejshme për të dyshuarin 15-vjeçar dhe ka theksuar se nuk do të publikojë fotografitë e tij.

Sulmi ndodhi gjatë festimit të 650-vjetorit të themelimit të qytetit. Policia ka deklaruar se motivi ende nuk është i qartë, por nuk mund të përjashtohet mundësia që të ketë qenë një sulm “terrorist”.

Kryetari i bashkisë, Tim Kurzbach, tha se ata që morën pjesë në ngjarje janë në një gjendje “shoku, tmerri dhe trishtimi të madh”. Vrasësi theri disa pjesëmarrës në festival dhe fillimisht arriti të arratisej.

“Ai po qëllonte njerëzit në mënyrë të rastësishme para skenës,” tha inspektori Sasha Kresta nga policia në Wuppertal.