Arrestohet 25-vjeçari nga Fushë Kosova, iu gjetën rreth 27 mijë euro të murosura (FOTO)

Është arrestuar një person i moshës 25-vjeçare në Fushë Kosovë për veprën shpërdorim i pasurisë së huaj.

Policia njofton se i dyshuari kishte vjedhur 18 mijë euro të një gruaje, të cilat ajo i kishte harruar në taksin me të cilin po udhëtonte për në Fushë Kosovë.

Pas identifikimit të personit, policia ka kontrolluar vendbanimin e të dyshuarit dhe i kanë sekuestruar rreth 27 mijë euro të cilat i kishte murosur në një depo.

“Rasti është raportuar me datën 21.09.2022,  pasi që ankuesja ka vërejtur se i mungon një çantë (me dokumente personale dhe para të gatshme 18000 euro), të cilën dyshonte se e kishte harruarr në një taksi me të cilin kishte udhëtuar për në Fushë Kosovë”.

“Ka qenë puna e hetuesve policor ajo që ka rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar si dhe arrestimin e tij. Pjesë e veprimeve policore ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar,  ku në një depo të murosura janë gjetë dhe sekuestruar një shumë parashë (rreth 27000 euro)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, policia njofton se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje dhe palës së dëmtuar i është kthyer shuma e saj e parave.