Arrestohen babë e bir në Shkup – Shantazhuan një 21 vjeçar me video “eksplicite”

Dy persona, babë e bir nga Shkupi janë arrestuar sot nga policia pasi kishin shantazhuar një 21 vjeçar nga Shkupi me video me përmbajtje eksplicite, duke i kërkuar para në këmbim, përcjell Klan Macedonia.

Të arrestuarit janë 18 vjeçari T.S dhe 46 vjeçari S.S nërsa akuzohen për veprën penale “shantazh” të dënueshme sipas nenit 259 të Kodit Penal.

“Më datë 20.05.2023 T.S. i ka kërkuar para një 21-vjeçari nga Shkupi duke e kërcënuar se nëse nuk i jep para do të publikojë video të 21-vjeçarit nga Shkupi me përmbajtje eksplicite. I dëmtuari më 23.05. i ka dhënë para T.S, por ai ka vazhduar të telefonojë dhe të kërkojë më shumë para, pas së cilës viktima ka raportuar rastin në SPB Shkup. Pasi të dëmtuarit i janë dhënë para të përpunuara teknikisht, ai ka lidhur marrëveshje me T.S që paratë t’ia dorëzonte përballë një qendre tregtare në Bulevardin “K.J. Pitu”. TS erdhi së bashku me të atin S.S. dhe pas marrjes së të hollave, ata menjëherë janë privuar nga liria nga policët”, thonë nga MPB.

Siç njofton Klan Macedonia, të dy të arestuarit e kanë pranuar veprën në një bisedë zyrtare në stacionin policor. Pas dokumentimit të çështjes do të bëhet kallëzimi përkatës./KlanMacedonia