Armenia kërkon ndihmë nga bota: Mos e lejoni Turqinë të ndërhyjë në konflikt

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, i bëri thirrje të dielën komunitetit ndërkombëtar që të sigurohet që Turqia të mos përfshihet në konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Turqia, aleate e ngushtë e Azerbajxhanit, më herët e kritikoi ashpër Armeninë pas përleshjeve me forcat azere në rajonin e kontestuar kufitar të Nagorno-Karabakut, duke thënë se ky vend është pengesë për paqen dhe duke u zotuar për përkrahje ndaj Azerbajxhanit.

Pashynuan tha se sjellja e Turqisë mund të ketë pasoja konstruktive për Kaukazin Jugor dhe rajonet përreth tij, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Armenia e ka shpallur në fuqi ligjin e luftës dhe ka urdhëruar mobilizim të tërësishëm të ushtrisë pasi pretendoi se i ka shkatërruar disa helikopterë dhe tanke të Azerbajxhanit gjatë përleshjeve në një rajon të kontestuar.

Azerbajxhani tha se Armenia e ka filluar një fushatë masive bombardimesh përgjatë tërë vijës së frontit.

Konflikti është tensionuar përsëri muajve të fundit. Së paku 16 ushtarë u vranë gjatë përleshjeve në korrik të këtij viti, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpërbërjen e tij më 1991. Për katër dekada, këto dy shtete të vogla janë në konflikt të pazgjidhur për rajonin Nagorno-Karabak, i cili nga komuniteti ndërkombëtar njihet si territor i Azerbajxhanit, por që kontrollohet nga armenët.

Para këtij viti, tensionet ishin rritur edhe në vitin 2016, kur forcat e të dyja vendeve ishin përleshur për katër ditë me radhë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është përpjekur për një kohë të gjatë që të gjejë një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje duke e formuar Grupin e Minskut, të përbërë nga diplomatët francezë, rusë dhe amerikanë, me qëllim të arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm.