Armend Zemaj publikon foto nga Klinika Intensive, aty ku po trajtohen rastet më të rënda me koronavirus


Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka vizituar Klinikën e Mjekimit Intensiv në QKUK ku ka parë nga afër pacientët që po trajtohen me respiratorë nga koronaviorusi. Zemaj ka publikuar disa pamje brenda klinikës, teksa ka thënë ditëve të fundit ka rënie të rasteve spitalore.

Shkrimi i plotë i Zemajt:
Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv në SHSKUK në Prishtinë pashë nga afër trajtimin mjekësor që po iu ofrohet të prekurve nga Covid19 dhe pacientëve që trajtohen me respiratorë. Dr. Naim Kuqi u.d. shef i kësaj klinike prezantoi shërbimet që po kryhen në këtë klinikë, gjendjen e pacientëve, vështirësitë dhe nevojat e stafit mjekësor.

Është lajm i mirë se ditëve të fundit ka një rënie të rasteve spitalore. Shpresojmë se ky trend të vazhdojë ditëve në vijim. Në klinikat spitalore aktualisht kemi furnizime stabile, falë blerjeve nga Ministria e Shëndetësisë, sikurse dhe kontributit të donatorëve ndërkombëtarë, të cilët po vazhdojnë të na mbështesin me donacione në këtë kohë të pandemisë.

Ndërsa, për të qenë të gatshëm për çdo skenar, në bashkëpunim me SHSKUK-në kemi rikthyer në mobilizim të plotë kapacitetet e disa klinikave në Prishtinë, sikurse kemi aktivizuar edhe klinikat e tjera të spitaleve rajonale. E falënderova personelin shëndetësor që po bën një punë shumë efikase dhe po ofron shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë pa dallim.