Armend Muja dikur: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe po e minojnë rendin kushtetues

Armend Muja me siguri se s’e ka menduar se do të përfundonte në Lëvizjen Vetëvendosje kur në janar të vitit 2016 thoshte se partia e Albin Kurtit dhe Lista Serbe e dirigjuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e njohin rendin kushtetues.

Muja atëherë shprehej se LVV-ja dhe Lista Serbe ishin dy forcat politike që e kishin polarizuar “së tepërmi” skenën politike në Kosovë. Atëherë, LVV-ja s’ishte alternativë për Mujën, i cili shprehej se prodhimi i një alternative të duhur nuk është i mundur, teksa shtonte se partia e shefit të tij aktual në parti, Albin Kurti dhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq duhet të kushtëzoheshin për njohjen e rregullimit politik të Kosovës.

“Skena politike eshte polarizuar se tepermi nga prezenca e dy forcave politike qe nuk e njohin rendin kushtetues te Ahtisarit (VV dhe Lista Serbe) dhe konsenzusi shoqeror nuk eshte i mundur. Prodhimi i alternativave qeverisese me orinetim zhvillimor nuk eshte i mundur perderisa keto dy forca te kushtezohen per njohje te reegullimit tone politik. Hapi i dyte eshte qe shtegu i mesem politik (political mainstream) te ndryshohet permes reformes zgjedhore qe parandalojne krijimin e partive provinciale (partive te ish-zonave operative). Hapi i trete eshte konsenzusi shoqeror per te kufizuar influencen e Serbise ne Kosove.

Hapi i katert eshte pakti per zhvillim ( privatizimi i aseteve strategjike). Hapi i peste eshte ndryshimi i elitave mediatike per te prodhur pluralizem te informacionit. Shteti, mireqeverisja dhe elitat e reja politike do te vijne vetem pas zbatimit te hapave te mesiperm”, kishte shkruar Muja. Saktësisht 5 vjet nga ky postim i Mujës, ai u shfaq në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Atij iu organizua mirëseardhja më e veçantë me të cilën dikush nga jashtë është pritur në ditën e tij të parë në LVV.

Albin Kurti, që tha se e njeh Armend Mujën qëmoti, shtoi se mezi pret të punojë me të.
“Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme. Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare.

Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje”, shkroi Kurti.

Në anën tjetër, Muja që kishte kërkuar që LVV-ja të kushtëzohet ta njoh rregullimin politik të Kosovës, tha se kjo parti është “e vetmja garanci për ndryshim në Kosovë”, duke shkruar një sërë lavdata për shefin e tij të ri, Albin Kurtin.

“Me Albinin njihemi qëmoti, por nga dje, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE! Kosova gjendet e sfiduar, si për të kaluarën, ashtu edhe për të ardhmen e saj. Albin Kurti përfaqëson të vërtetën, autoritetin moral dhe vullnetin e njerëzve të rëndomtë në Kosovë – aktiv e rezistent ndaj sfidave shoqërore që nga vitet e 90-ta, por edhe të gatshëm për rrugën përpara.

Data 14 shkurt 2021 do të jetë historike për Kosovën – Kurti do të jetë Kryeministri më i votuar, lajm i mirë dhe i domosdoshëm për Kosovën dhe shqiptarët. Kurti nuk i ka borxh askujt përpos popullit të Kosovës dhe dashamirësve të saj. Nuk duhet pritur që ai si Kryeministër të jetë kokëulur para atyre që sfidojnë shtetësinë e Kosovës nga brenda dhe jashtë. Ai do të veprojë si Kryeministër i të gjithë votuesve në Kosovë dhe partner me miqtë më të afërt të Kosovës”, shkroi Muja ndër tjerash.