Arifi: Lehtësim të masave mund të ketë vetëm në sfera të caktuara të bizneseve

Që nga shpallja e pandemisë Covid 19, në Tetovë dhe rrethinë kryesisht nëpër marketet e mëdha respektohen masat, kurse shumë pak respektohen nëpër vendbanimet rurale ku qytetarët nuk mbajnë maska dhe nuk respektojnë distancën.

Rastet e reja të personave me Covid 19 kanë bërë që autoritetet e Komunës së Tetovës të mos shpejtojnë me lehtësimin e masave që janë në fuqi gjatë kësaj kohe. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se lehtësim të masave mund të ketë vetëm në sfera të caktuara të bizneseve. Për orën policore mund të ketë lehtësime, por për lehtësime tjera duhet që të mendohet më mirë situata, sepse një hap i gabuar në këtë periudhë mund të ketë pasoja të mëdha, prandaj duhet me shumë kujdes të veprojmë gjatë lehtësimit të masave.“Fakti që më 5 maj kishim katër raste të reja të personave me koronavirus, na bën të jemi më të kujdesshëm. Edhe këtyre ditëve do të qëndrojmë në këto masa, kurse më pas do të japim edhe propozime se si më tutje. Lehtësime duhet të ketë tek sfera e biznesit, sidomos me atë pjesë që janë më pak të rrezikshme për përhapje të virusit”, thotë Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Ajo është shprehur se mbajtja e maskës dhe dorezave duhet të jetë përditshmëri tek qytetarët në këtë periudhë, dhe ata duhet të mësohen se me këtë mbrojnë veten e tyre dhe të tjerët. “Ndoshta nuk është e këndshme që në muajin maj apo në qershor të shkojmë në shitore me maskë dhe me doreza. Nëse me këtë ne parandalojmë një problem që u shkaktojmë tjerëve, atëherë kjo është një masë që duhet të jetë në fuqi. Por, kujdesi më i madh duhet të jetë tek të moshuarit, të cilët janë më shumë në rrezik. Ata do të duhet të mbajnë maska”, deklaroi kryetarja Arifi.

Gjatë javës së kaluar janë ndarë rreth një mijë maska nëpër qytetin e Tetovës, që Qeveria ia kishte ndarë Shtabit të krizës në Tetovë. Në Tetovë kryesisht nëpër markete dhe institucione publike respektohen masat, dhe qytetarët janë të obliguar që të mbajnë maska. “Kryesisht nuk lejojmë që të ketë shumë qytetarë brenda në market, kërkohet që të mbahet distancë, kemi sigurim para hyrjes që nuk lejon hyrjen pa maskë të qytetarëve, lëshohen kryesisht nga dy persona, po ashtu kemi vendos edhe dezinfektues e kështu me radhë”, pohojnë nga Zhito Market në Tetovë.

Problem i përditshëm është mosmbajtja e distancës nga më të moshuarit që qëndrojnë para bankave apo postës. Në disa banka në Tetovë tashmë sigurimi qëndron para hyrjes për të rregulluar distancën mes qytetarëve. Por më problematike paraqitet situata para bankomatëve ku aty nuk respektohet distanca mes qytetarëve. Që nga shpallja e pandemisë Covid 19, në Tetovë dhe rrethinë kryesisht nëpër marketet e mëdha respektohen masat, kurse shumë pak respektohen nëpër vendbanimet rurale ku qytetarët nuk mbajnë maska dhe nuk respektojnë distancën. Komuna e Tetovës një kohë të gjatë ka ndërprerë edhe transportin urban me komunat rurale si masë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid 19. Kryesisht lëvizjet e qytetarëve vazhdojnë të jenë të fokusuara në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës, ku edhe janë pjesa më e madhe e institucioneve.