Arianit Xhaferi: Kompanitë energjetike duan t’i njollosin organizatorët e protestave


Përfaqësuesit e nismës “Mjaft më” e cila mbajti disa protesta për shkak të çmimit të rritur të energjisë elektrike sot mbajtën konferencë shtypi në të cilën theksuan citime se kompanitë energjetike duan t’i njollosin aktivitetet e tyre.

Arijanit Xhaferi vlerëson se reagimi qytetar bëhet gjithnjë e më i fuqishëm.

“Prej më parë ishin bërë përpjekje të ndryshme nga ana e këtyre kompanive që të njolloset vullneti qytetar dhe organizimi i këshillit organizues. Nga burime të brendshme në këto kompani energjetike na vijnë informata se përgatisin skenarë që të humbet besimi i njerëzve në këshillin organizues.

Një nga skenarët që ata duan të na atribuojnë është djegia e nënstacioneve në disa qytete të vendit. Kjo bëhet me qëllim që të defokusohet qëllimi ynë i pastër dhe të shkaktohet pakënaqësi te njerëzit nga nisma.

Por duhet ta dinë se këto skenarë nuk do të “pinë ujë” te njerëzit, ata bëjnë përpjekje të paraqesin një realitet tjetër të imagjinuar nga ajo që qytetarët e dinë, ndërsa ato janë fakturat e larta nga shtrenjtimi i energjisë elektrike”, theksoi Arijanit Xhaferi.

Kjo nismë sërish të premten paralajmëron marsh protestues, këtë herë nga sheshi i qytetit në Tetovë deri në objektin e kompanisë energjetike EVN Maqedoni.