Arben Vitia riemërohet ministër i Shëndetësisë në Kosovë

Arben Vitia është riemëruar në pozitën e ministrit të Shëndetësisë. Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në njoftim.

Arben Vitia kishte dhënë dorëheqje në tetor të vitit 2021 nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale ku garonte për të parin e Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje u mposht nga kandidati i LDK-së, Përparim Rama.

Në vendin e tij ishte emëruar ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku. Më pas në pozitën e ministrit në këtë dikaster erdhi Rifat Latifi, porse i njëjti dha dorëheqje duke e rikthyer Gexha-Bunjakun përsëri si ushtruese e detyrës për 79 ditë. Kjo është hera e tretë e Vitisë që emërohet si ministër i Shëndetësisë.